Transmetuar më 21-03-2020, 17:37

“Edi Rama, burim kryesor paniku. Dhunën policore kundër opozitës në Algjeri i prezanton si masa të Spanjës për të luftuar COVID 19.”

Është kjo deklarata e bërë nga Partia Demokratike, pas videos së publikuar nga Kryeministri Edi Rama i cili “kërcënon” me një video që sugjeronte se vinte nga Spanja dhe tregohej se si forcat e rendit mundohen të disiplinojnë qytetarë.

“Këtë video nga Spanja ku dje vdiq një njeri çdo katër minuta, po e postoj për të gjithë ata që do shkojnë të bëjnë pazar nga e hëna e deri në fund të luftës! O një nga një, në radhë si ushtarë dhe me durim e në distancë nga njëri- tjetri të mbarojnë të gjithë punë me radhë, pa vrarë njerëz majtas – djathtas, o pastaj me vrap e pa bërë dot as pazar…”, shkroi Rama.

Por për Partinë Demokratike, sot Edi Rama ka shpërndarë një gënjeshtër të rrezikshme për t’i trembur edhe më shumë qytetarët e Shqipërisë.

Kjo parti thotë se video e shpërndarë nga Edi Rama në profilin e tij zyrtar në facebook është mashtrim, sepse ajo është shkëputur nga një protestë antiqeveritare në Algjeri dhe jo nga situata e virusit në Spanjë.

Më tej nënvizohet se në Spanjë situata është e rënduar, por një shtet demokratik i Bashkimit Europian nuk vepron kurrë me dhunë ndaj shtetasve të vet, siç gënjen dhe mashtron Edi Rama.

“Ai është sot burimi kryesor i panikut dhe pasigurisë në Shqipëri. I gjendur i papërgatitur, pa ide dhe në majë të një qeverie të kalbur nga skandalet dhe korrupsioni, ai ka dështuar të qetësojë dhe të kompensojë njerëzit, si dhe të menaxhojë një karantinë të efektshme. Paradite detyron qytetarët të dynden në dyqane, në drekë i terrorizon me video nga protestat antiqeveritare kundër regjimit autoritar në Algjeri, duke e shitur atë si dhunë që ndodh rëndom në Bashkimin Europian. Kjo është papërgjegjshmëri”, thuhet në deklaratën e PD.

Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të dalë nga shtëpia dhe të bëjë detyrën, t’u japë fund mesazheve që përhapin panik tek qytetarët dhe të përqendrojë të gjithë vëmendjen e tij tek detyrat e Qeverisë për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të zgjidhur krizën social-ekonomike që ka krijuar situata.

Partia Demokratike i bën edhe njëherë apel të fortë çdo qytetari të ndjekin me seriozitet dhe përgjegjshmëri masat e kufizimit të lëvizjes dhe distancimit social.

“Zbatimi rigoroz i këtyre masave është me rëndësi JETIKE për të mbrojtur veten dhe njerëzit tanë më të dashur”, thuhet në mbyllje. /a.y/noa.al

Rama “kërcënon” me videon nga Spanja: Forcat e rendit e kanë ndarë mendjen top

PËRDITËSIM LIVE