Transmetuar më 21-03-2020, 19:30

Kryedemokrati Lulzim Basha denoncon se akti normativ për përballimin e krizës nuk është bërë publik akoma.

Ai vijon akuzat duke thënë se 22 milionë euro janë transferuar para dy ditësh nga thesari i shtetit vetëm për katër kompani duke shkelur të gjitha afatet kohore dhe se brenda 48 orëve janë bërë faturat, janë konfirmuar faturat, janë bërë pagesat dhe duke përdorur 22 milionë euro cash lekët e shqiptarëve dhe taksat e tyre në një kohë kur akoma nuk ka një buxhet për shëndetësinë.

“Është njoftuar nga z. Rama para dy ditësh që buxheti do të jetë 25 milionë euro, por akoma nuk kemi detaje, akoma nuk kemi një akt formal shtetëror siç është akti normativ apo siç është vendimi përkatës për t’i dhënë këto para për shëndetësinë. Mjekët, infermierët, stafi shëndetësor janë në kushte jashtëzakonisht të vështira, po përballen ditë për ditë me numrin në rritje të infektuarve dhe personave që po vuajnë pasojat e infektimit, janë më të rrezikuarit. Dhe ndërkohë kemi dy javë që kërkojmë të vendosin mjaftueshëm fonde për të blerë pajisje shëndetësore; për të blerë respiratorë, ventilatorë për pacientët, për të rritur numrin e pajisjeve testuese dhe kiteve testuese”, shprehet Basha.

Ai shton se 22 milionë euro të shqiptarëve shkojnë në një drejtim krejtësisht të panevojshëm, për 4 kompani apo 4 persona dhe ky sipas tij, është padyshim një skandal ku nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen dhe të mos merrte dënimin më të madh.

Basha sqaron se këto 4 pagesa janë për 4 kontrata ndërtimi, ndërkohë që ka edhe dhjetëra pagesa të tjera, duke shtuar se ky nuk është problemi, pasi ose je në gjendje të jashtëzakonshme ose nuk jemi.

Pasi sipas tij, në qoftë se u kërkohen qytetarëve sakrifica të tilla, të rrinë pa punë, të mbyllin bizneset, të qëndrojnë larg të dashurve të tyre, të cilat padyshim janë të nevojshme, atyre që kanë më shumë, jo vetëm nuk u kërkohet asnjë sakrifice, por u bëhen edhe pagesat të majme.

Për Bashën, kjo nuk është thjesht padrejtësi, nuk është thjesht papërgjegjshmëri, por se është në kufijtë e krimit.

Lidhur me mundësinë e bllokimit të hyrjes e njerëzve nga Italia në Shqipëri kohë më parë, ai thotë se prej 2 shkurtit, kanë bërë thirrje që të merren masa.

“Për një kohë të gjatë, fjalët tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Thirrjet tona nuk janë bërë për një debat të përditshëm politik, por për debatin e diçkaje që shkon përtej politikës së përditshme, ka të bëjë me jetën dhe shëndetin e njerëzve. Sot nuk është koha për t’u marrë “pse nuk u bë në kohë dhe kush e ka përgjegjësinë”. Sot, fokusi i opozitës, PD dhe imja personalisht është të bëjmë ç’të mundemi, çfarë kemi në dorë për të ndihmuar njëri tjetrin, për t’ia dalë mbanë dhe për te kaluar këtë të keqe të madhe”, deklaron Lulzim Basha. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE