Koronavirusi/ Shoqërohet në polici këngëtari i njohur shqiptar, nuk respektoi masën e vetizolimit
Transmetuar më 21-03-2020, 22:30

Këngëtari Shkelzen Jetishi është shoqëruar në stacionin e policisë në Gjakovë, pasi ka dalë nga shtëpia duke shkelur urdhërin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Policisë së Kosovë për vetizolim.

Për këtë shkelje, siç njoftojnë mediat kosovare, policia e Gjakovës ka hapur rast ndaj këngëtarit Jetishi.

Mediat shkruajnë se këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj i cili tha se këngëtari është shoqëruar në polici, është intervistuar dhe pastaj është liruar me premtimin se do e respektojë masën e vetizolimit.

“Dje është hapë rast për këngëtarin Shkelzen Jetishi për mosrespektim të urdhëresës. Është hap rast dhe është liru në procedurë të rregullt me premtimin që ka me e respektu urdhëresën”, tha Gjurkaj për gazetën Sinjali.

Përveç këngëtarit, Gjurkaj njoftoi se për shkeljen e urdhrit për vetizolim, policia në Gjakovë ka shoqëruar edhe dy persona të tjerë.

Këngëtari Shkelzen Jetishi u urdhërua të vetizolohej, pasi ishte parë afër këngëtarit tjetër nga Gjakova Muhamet Sejdiu, i cili rezultoi pozitiv në testin për koronavirus.

Loading...