Transmetuar më 22-03-2020, 13:33

Qeveria ka vendosur që të vendosë orarin 05:00 – 13:00 për të blerë ushqime dhe ilaçe në këtë periudhë koronavirusi.

Në një komunikim live nga shtëpia, kryeministri Edi Rama reagoi për ankesat që kishte marrë duke bërë thirrje që të gjithë të respektojnë rregullat pasi 8 orë mjaftojnë për pazare.

‘Nesër në orën 05.00 do të hapet për të shkuar në punë. Deri në orën 13.00 keni kohë për të bërë pazar. Ankoheni për oraret por janë për të përballuar një luftë të madhe.

Nuk e kuptoj çfarë lidhje kanë oraret me rrëmujën në tregje. Të mbajmë radhë në rresht, të durojmë derisa të mbarojmë punë. Disa thonë të mbyllemi për 2 javë. Po mirë, po për të ngrënë si do ia bëjmë për të bërë pazar, të paktën 1 herë në dy ditë. Pse të mos respektojmë rregullat?

Nuk duam të çohemi në 5 të mëngjesit dhe të turremi në 10 e 12. Nuk shkon fare kjo luftë’, tha Rama.

Në fjalën e tij, theksoi se duhet treguar solidaritet për personat që po përballen me këtë luftë.

‘Natyrisht asnjë përveç forcave të rendit dhe ushtrisë janë në ndihmë për të gjithë ata që kanë nevojë. Mirënjohje për të gjithë ju që brenda shtëpisë po e parandaloni përparimin e armikut. Deri dje kemi mundur të ndihmojmë drejtpërdrejt 14 mijë familje. Do të vazhdojmë pa pushim përditë të trokasim në dyert e pensionistëve të vetmuar, e familjeve me probleme të mëdha ekonomike, në familjet e prekura nga tërmeti që të mos u mungojë ushqimi bazë dhe medikamentet shëndetësore.

Shohin videot informative nga operacioni humanitar dhe flasin për show. Po çfarë show mo ju marrtë e mira. Flasin për vjedhje. Po ku e patë o ju marrtë e mira. Flasin për popullin që po vdes për bukë. Po për cilin popull kur vetë janë në shtëpi dhe flasin me iPhone.

Respektojini ata që po shkojnë shtëpi më shtëpi që nuk kanë përse të lexojnë pislliqe në operacionet humanitare. Ne po bëjmë dhe do të bëjmë të pamundurën deri në fund. Në këtë kohë të mallkuar duhet solidaritet, që nga mjekët e infermierët që po përballen me luftën deri tek ushtarakët që të përballojnë vështirësitë ekstra në këtë luftë për mbijetesë’, u shpreh Rama.

Kryeministri reagoi edhe për videon e publikuar ku shfaqet policia algjeriane dhunon qytetarët që nuk respektojnë masat e ndërmarra nga qeveria.

‘Dje publikova një video të një lufte që një mik më tha që ishte nga Spanja. Doli që ishte nga Algjeria dhe u hodhën përpjetë ata që nuk dua ti përmend. Ju kërkova ndjesë për pasaktësinë. Gabimi është pjesë e jetës. Më falni që rashë pre e qytetarit digjital. Nuk bëra siç bëj gjithmonë, verifikimin.

Qëllimi i publikimit të videos nuk ndryshim. Forcat e Rendit nuk do të tolerojnë për grumbullimin e parregullt dhe xhirot në rrugë janë të paligjshme, të rrezikshme dhe të patolerueshme në këtë rrugë’, tha kryeministri.

Në përfundim theksoi se ne do ta mposhtim luftën me koronavirusin!/a.m/noa.al