Transmetuar më 23-03-2020, 15:07

Kryedemokrati Lulzim Basha i bën thirrje publike qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës për shkak të situatës së koronavirusit.

”Dua t’i bëj sot thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë . Dua, po kështu, t’i bëj thirrje qeverisë të urdhërojë menjëherë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambjente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call-centers apo të tjera fabrika prodhimi ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e virusit dhe për kthimin e tyre në bartës dhe infektues përmes virozës”, tha Basha.

Kryetari i PD-së kërkoi që qeveria të mos vonojë paketën e ndihmës ekonomike. Në një deklaratë për mediat, u shpreh se krahas saj, qeveria duhet të vendosë edhe një paketë tjetër.

”Dua të përsëris përultësisht thirrjen time ndaj qeverisë: Të mos vonojë detajimin e paketës së ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, sepse kjo është qartësisht e pamjaftueshme. Të gjithë ata që do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit apo për shkak të mbylljes së bizneseve, ku janë punëmarrës, duhet të marrin pagën e mjaftueshme për të vazhduar minimumin jetik në shtëpitë e tyre. Dhe kjo është një përgjegjësi shtetërore. Ndaj thirrja ime është që menjëherë të ndërpritet çdo shpenzim tjetër, të ndërpritet çdo transferim tjetër nga thesari dhe të gjitha paratë e taksapaguesve shqiptarë të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve, të shkojnë për nevojat akute ekonomike me të cilat përballet një numër i madhe njerëzish i cili mund dhe do të vijë në rritje”- u shpreh kryedemokrati.

Lulzim Basha shprehu edhe shprehu ngushëllimet për viktimat, si dhe falenderoi qytetarët që respektuan rregullat e karantinës./a.m/noa.al