Koronavirusi, Kryeministri britanik ashpërson masat, njofton rregullat e reja dhe gjoba
Transmetuar më 23-03-2020, 22:32

Kryeministri britanik Boris Johnoson, lajmëroi në orët e vona të mbrëmjes së kësaj të hëne rregulla të reja strikte, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Në një fjalim para kombit, ai deklaroi se do të mbeten të mbyllura dyqanet që nuk janë të domosdoshme, ndalohen mbledhjet në publik të më shumë se dy personave dhe gjobë prej 30 sterlinash për këdo që shkel rregullat.

Parqet do të mbeten pjesërisht të hapura, ndërsa vendet e kultit do të mbyllen, ndërkohë mund të dilet vetëm për punë, pazar, për të nxjerrë qenin, për sport apo asistencë tjetër.

Qeveria ka ndërprerë çdo event social, përfshi, martesat, pagëzimet, ceremonitë e tjera, mirëpo do të lejohen funeralet.

Nëse qytetarët nuk do të respektojnë rregullat, policia është e udhëzuar që ti detyrojë.

“Masat janë të domosdoshme për tu përballur me kërcënimin më të madh me të cilin është përballur vendi për dekada me radhë. Pa një sforcim të madh kombëtar, do të vijë momenti ku asnjë shërbim shëndetësor në botë të mund t’ia dalë. Për ta thënë më thjeshtë, nëse shumë persona sëmuren seriozisht njëherësh, shërbimi shëndetësor kombëtar nuk do jetë në gjendje që të menaxhojë situatën”, deklaroi Johnson.

Kryeministri deklaroi se e di dëmin që po shkaktohet, por se masat bëhen për të shpëtuar jetë njerëzish, duke thënë se “Rruga që do kalojmë është e vështirë dhe po aq e vërtetë është edhe fakti se jetë të tjera do të humbin”.

Ndërkohë personeli shëndetësorë është ankuar për mungesën e mbrojtjes, teksa 7500 mjekë dhe infermier në pension ju përgjigjën apelit të qeverisë për tu kthyer në punë.

Në Britaninë e Madhe numri total i të prekurve është 6650, ndërsa i viktimave ka arritur në 335. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE

Loading...