Transmetuar më 24-03-2020, 10:06

Një burrë nga zona e Phoenix, Arizona ka ndërruar jetë dhe gruaja e tij është në gjendje kritike pasi përdorën ilaçin ‘chloroquine phospate’ për simptomat e koronavirusit.

Ilaçi që trajton malarien është komentuar edhe nga Presidenti Donald Trump si kurë për Covid-19.

Siç raporton Time, gjendja shëndetësore e çiftit u përkeqësua rreth 30 minuta pasi morën ilacin. Burri nuk mundi të mbijetonte kur arriti në spital, ndërsa gruaja ia doli që të qëndronte në jetë, njoftoi Banner Health (Kompani për kujdesin e shëndetit).

Ende është e paqartë nëse burrë e grua, të dy 60 vjeç, morën ilaçin për të trajtuar koronavirusin, por Banner Health ka bërë thirrje që çdo njeri të shmangë vetë-trajtimin.

"Duke pasur parasysh paqartësinë rreth Covid-19, ne e kuptojmë se njerëzit po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të parandaluar ose trajtuar këtë virus, por vetë-mjekimi nuk është mënyra e duhur për ta bërë këtë," tha mjeku Daniel Brooks, Drejtori mjekësor i qendrës.

Brooks shtoi se gjëja e fundit që kërkohet në këto momente është që të mbushet urgjenca me pacientë që mendojnë se e gjejnë vetë kurën dhe rrezikojnë rëndë shëndetin e tyre.

Tre ditë më parë, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se kombinimi i hydroxychloroquine dhe azithromycin është shansi për të bërë histori.

"Hydroxychloroquine dhe azithromycin, të marra së bashku kanë një shans real për tu bërë një nga ndryshuesit e lojës më të mëdhenj në historinë e barnave mjekësore. FDA ka tundur malet", tha Trump.

Duke vënë në dukje se njerëz po vdesin, presidenti njoftoi se do të vendosen menjëherë si protokoll kure për të prekurit me koronavirus.

Hydroxychloroquine është një ilaç kundër malaries, kurse azithromycin është antibiotik./a.m/noa.al