Koronavirusi, 19 raste të reja 24 orët e fundit në Shqipëri
Transmetuar më 24-03-2020, 11:07

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot ora 11.00 se janë evidentuar 19 raste të reja në 24 orët e fundit duke shkuar në 123 numri i personave të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Sakaq një qytetar 49-vjeçar ka ndërruar jetë në spitalin infektiv. Deri tani 10 persona rezultojnë të shëruar pas testeve konfirmuese.

Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik informoi për situatën më të fundit të COVID-19 në Shqipëri. Ajo detajoi se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 19 raste të reja me COVID-19 pasi janë kryer 74 testime. Në total janë bërë 930 testime që nxorën 123 të prekur.

Tomini u ndal dhe tek viktima i ditës së sotme. Ajo tha se burri 49 vjeçar nga Tirana që ka humbur jetën ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv. "Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor të spitalit Infektiv, 49 vjeçari nuk arriti të mbijetojë. I ndjeri vuante nga diabeti mellitus dhe ishte prej 10 ditësh në terapi intensive.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thotë se deri në këto momente kanë humbur jetën 5 persona të prekur nga COVID-19.

Sakaq, lajm i mirë është se 10 qytetarë deri në këto momente janë shëruar (të shtruar dhe të vetëizoluar) pas dy testeve të kryera. Por ata duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë.

Harta e të prekurve

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Lezhë, Has dhe Berat dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e transmetimit të infeksionit.

Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

• Tiranë 72 qytetarë • Durrës 8 qytetarë • Lushnje 4 qytetarë • Elbasan 2 qytetarë • Fier 12 qytetarë • Rrogozhinë 2 qytetarë • Kavajë 4 qytetarë • Korcë 9 qytetarë • Vlorë 4 qytetarë • Shkodër 2 qytetarë • Lezhe 1 qytetarë • Berat 1 qytetarë • Has 2 qytetarë

Në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 57 pacientë të shtruar, 2 prej tyre janë në terapi intensive. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital!

🔴MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE – Përditësimi i situatës së COVID-19Eugena TominiInstituti i Shëndetit Publik

Publiée par Edi Rama sur Mardi 24 mars 2020

Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacon apo këshilla në lidhje me COVID-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për cdo shqetësim tjetër që ata kanë. Por është e rëndësishme të sqarohet se: Nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

Loading...