Transmetuar më 24-03-2020, 11:10

Policia ka vënë në pranga dy persona gjatë orëve të fundit pasi shkelën rregullat e ndalim-qarkullimit me qëllim ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 30-vjecari R. M., banues në Tiranë, pasi është konstatuar gjatë orarit të kufizimit të lëvizjes, duke lëvizur në këmbë në zonën e “Komunës së Parisit” dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke mos dhënë arsyen e lëvizjes. Gjatë kontrollit fizik iu gjetën në trup disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe kokainë, të cilat i shpërndante në këtë zonë.

Në Berat u arrestua në flagrancë 48-vjecari A. Ç., banues në Poliçan, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në kundërshtim me urdhrin për ndalimin e qarkullimit.

Në 24 orët e fundit, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 85 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Policia ka evidentuar 109 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19".

Edhe 15 lokale nuk kanë respektuar orarin e mbylljes dhe administratorët janë gjobitur me 100.000 lekë secili.

Policia e Shtetit bën thirrje që të gjithë qytetarët të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa./a.m/noa.al