Transmetuar më 24-03-2020, 11:56

Në të gjithë Shtetet e Bashkuara, mjekët po transmetojnë të njëjtin mesazh: “Jo të gjithë ata që duan një test do ta marrin atë.” "Nëse do të kishim të gjitha burimet në botë dhe nëse do të mund të tundnim një shkop magjik, do të ishim të lumtur t’i testonim këta njerëz, por ato nuk janë aty, kështu që kam frikë se do t’u japim përparësi vetëm disave",- tha Dr. William Schaffner, profesor në sektorin e sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore Universitare Vanderbilt.

Schaffner dhe Dr. Rochelle Walensky, shefi i sëmundjeve infektive në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets, i shpjegoi CNN-it se kush duhet dhe nuk duhet të testohet, duke pasur parasysh që nuk ka teste të mjaftueshme.

Personat e infektuar pa simptoma mund të përhapin koronavirusin më shumë se sa kemi kuptuar. Sigurisht, do të ketë përjashtime nga këto kategori dhe mjekë apo spitale të ndryshëm do të kenë rregulla të ndryshme. Edhe pse në New York dhe Washington personat që mund të testohen janë mbi të 70-at, pra të moshuarit, në vende të tjera, i moshuar mund të konsiderohet një person mbi të 60-at.

Sipas CDC, simptomat e virusit përfshijnë ethe, kollitje dhe vështirësi në frymëmarrje. Nëse nuk po i keni këto, nuk duhet të merrni një provë.

Kush ka nevojë të testohet?

1-Kushdo që ka simptoma dhe ka qenë në kontakt të ngushtë me dikë që ka testuar pozitiv ndaj koronavirusit. CDC e përcakton kontaktin e ngushtë si kontakt të drejtpërdrejtë me simptomat e dikujt që ka koronavirus, siç është kollitja, ose të qenurit brenda me këtë person "për një periudhë të gjatë kohe".

2-Kushdo që ka simptoma të koronavirusit dhe ka nevojë të shtrohet në spital.

Ndërsa bëhen më shumë teste, Schaffner dhe Walensky thonë se shpresojnë të jenë në gjendje t’i lehtësojnë këto kategori dhe të testojnë më shumë pacientë. Por nuk është vetëm çështje e disponueshmërisë së testit.

Tamponët që kërkohen për të kryer provën janë të paktë. Gjithashtu, mjekët dhe infermierët duhet të vendosin pajisje për mbrojtjen personale për të kryer një test të koronavirusit, të tilla si doreza dhe maska ​​speciale. Meqenëse pajisjet janë të pakta, mjekët duan t’i ruajnë për ata që kanë më shumë nevojë të testohen.

Nëse të gjithë do të merrnin një test, sistemi do të ngarkohej shumë, që do të thotë se pasi një person testohet, dikush duhet ta përpunojë dhe ta dërgojë testin në laborator. Më pas, dikush tjetër duhet t’i thërrasë pacientët përsëri dhe t’u tregojë rezultatet. Deri më tani, asnjë institucion nuk e ka fuqinë unëtore për këtë./b.l/noa.al/