Transmetuar më 24-03-2020, 14:15

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jenë epiqendra e ardhshme e koronavirusit, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Gjatë 24 orëve të fundit, 85% e rasteve të reja vinin nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara, tha zëdhënësja e OBSh, Margaret Harris në një dalje për gazetarët.

Deri tani, Europa është epiqendra ku rajonet më të prekura janë Italia dhe Spanja me numrin më të lartë të viktimave dhe të të infektuarve. Por në raportin e ri, 40% e të infektuarve të orëve të fundit ishin nga ShBA.

E pyetur nëse SHBA do të jenë epiqendra e re, Harris tha: ‘Ne po shohim një numër të lartë në Shtetet e Bashkuara. Kështu që e ka atë mundësi. ShBA ka një numër të madh shpërthimesh që po sjell intensitet.’

Paralajmërimi erdhi disa orë pasi Presidenti Donald Trump tha se do të rishqyrtojë politikën e distancimit shoqëror të vendit brenda pak ditësh dhe premtoi se biznesi në Amerikë do të rihapet shumë shpejt.

Deri tani, SHBA ka 582 viktima dhe 46,168 të infektuar./a.m/noa.al