Transmetuar më 24-03-2020, 15:19

Shqipëria ka marrë një lajm të mirë në mes të këtyre ditëve të errëta të shkaktuara nga koronavirusi.

Në një video-konferencë të zhvilluar në mesditë, Këshilli i Ministrave të BE-së i dha dritën e gjelbër çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth bëri një postim në Twitter duke thënë se këtë vendim e cilëson si lajm të mirë.

“Lajm i mirë në këto kohë të zymta: më në fund drita jeshile në video-konferencën e sotme të Këshillit të Ministrave për Evropën për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE me miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Fitore për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor. Urime Tiranës dhe Shkupit”, shkroi në Twitter ministri gjerman i Evropës.

Edhe Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli ka reaguar duke thënë: “Disa lajme të mira në periudha të vështira: Ministrat e BE dhanë ‘OK’ për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Drejtuesit duhet të ndjekin.

Parlamenti Europian ka mbështetur gjithnjë të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi nevojë për lidhje të forta me fqinjët tanë, tani më shumë se kurrë. ”/a.m/noa.al