Transmetuar më 24-03-2020, 19:51

Ministrat e Çështjeve Europiane të BE-së u mblodhën virtualisht sot nëpërmjet një videokonference, në një klimë të zymtë për shkak të mijëra viktimave në Europë, veçanërisht në Itali dhe në Spanjë.

Ata shprehën të gjithë solidaritetin për këtë sprovë dhe nevojën për një koordinim më të madh në nivel europian për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Në mbledhje, u dha drita ‘’jeshile’’ për Zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, me miratimin e Planit të Konkluzioneve. Kjo nuk do të thotë se negociatat u hapën, sepse kjo dritë jeshile duhet të kthehet në vendim në instanca më të larta, ndaj do t’i paraqitet video-konferencës së Këshillit Europian në nivel udhëheqësish politikë, ditën e enjte.

Por a ka kushte për çeljen e negociatave? Këtë e sqaroi mbrëmjen e sotme qeveria greke. Ministri Plotësues i Punëve të Jashtme të Greqisë, Miltiadhi Varvitsiotis, pas mbledhjes së Ministrave të Çështjeve Europiane të BE, pohon se për Shqipërinë, çelja e negociatave varet 4 kushte që lidhen tërësisht me minoritetin grek, kurse për Shkupin, një kusht i vetëm. Ai sqaroi se kushtet janë të përfshira në deklaratën e sotme që i hap rrugën çeljes së negociatave.

"Në tekstin për hapjen e negociatave të integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, parashikohet, për rastin e Maqedonisë së Veriut, të respektojë dispozitat e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa për rastin e Shqipërisë, të plotësojë detyrimin për respektimin e të drejtave të Minoritetit Grek, përfshirë këtu si atë të censusit të populllsisë dhe të së drejtës së vetidentifikimit, ashtu edhe të rregjistrimit të pronave. Do të ndjekim nga afër përparimin dhe respektimin nga ana e të dy vendeve, të zbatimit të angazhimeve të tyre", citon ambasada greke ministrin Varvitsiotis, në një njoftim që shpërndau mbrëmjen e sotme. /noa.al/