Transmetuar më 25-03-2020, 01:17

Shërbimi parësor shëndetësor është goditur sërish pasi një infermire është infektuar nga koronavirusi.

Drejtori i Spitalit të Lezhës, Leon Kaza pohon se në orët e vona të ditës së djeshme në spitalin Lezhë u konfirmua rasti i parë i prekur nga COVID-19, një infermiere në shërbimin parësor.

"Ishte vetëm çështje kohe konfirmimi i diçkaje që prej ditësh po themi. Virusi është mes nesh. Konfirmimi i një rasti apo mungesa e një konfirmimi të tillë, as duhet të zgjojë histeri kolektive në panik në rastin e parë dhe as duhet të ulë vigjilencën dhe kujdesin në rastin e dytë", thotë Kaza, citon statusin e tij në rrjete sociale, Pro Pacientit.

Kurse shton: "Kam vërejtur se shumë kërkojnë të dinë emrin e personit të prekur, ndoshta me idenë për t’u ruajtur. Nuk ka kurrfarë rëndësie. Emri mund të jetë kushdo, secili prej nesh. Askush s’është imun dhe të jesh i prekur nga COVID-19 nuk është arsye për linçim apo njollë për t’u stigmatizuar. Ka vetëm një mënyrë për tu mbrojtur; zbatimi rigoroz i masave të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, ndjekja me përpikmëri e udhëzimeve të MShMS".

Në media sot fatmirësisht një zë të rëndësishëm zënë mjekët, kryesisht mjekët e Spitalit Infektiv, i kthyer në spital të dedikuar COVID. Kaza ka një vlerësim për të bërë: "Dua të falenderoj personelin shëndetësor të linjës së parë, mjekët dhe infermierët e urgjencës, imazheristët dhe teknikët e imazherisë dhe gjithë personeli tjetër mbështetës të spitalit Lezhë e jo vetëm, të cilët janë porta e parë e sistemit, janë mburoja e parë e shëndetit, janë në zonën e parë të rrezikut, ndaj meritojnë mbështetjen dhe respektin e kujtdo. Për sot dhe për nesër!"