Transmetuar më 25-03-2020, 02:11

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Prej katër ditësh ai është në izolim shtëpiak në përpjekje për ta kaluar pa nevojë spitalore.

Në një prononcim që dha mbrëmjen e së martës në Top Channel, Brataj tha se u përball me temperaturë të lartë 39.5 gradë. Kurse shtoi se ndjehet më mirë.

"Sot jam mirë, ndërsa të dielën dhe të hënën isha me temperatuarë. Isha me 39.5 temperatuarë e cila përballohej me paracetamol. Ndërsa sot kam vetëm kollë- tha Brataj.

Sa i përket dyshimit se ku e mori virusin, ai tha: "Ne mjekët jemi në vijën e parë. Dhe kjo na bën të rrezikuar. Në çdo rast kemi pasur veshjet e posaçme. Në mbledhje kemi qenë me maska. Dihet që nga spërklat virusi përhapet, por mund të ketë edhe ndonjë mënyrë tjetër që nuk e dimë".

Brataj tha se po trajtohet me antiviralë dhe antibiotikë. "Kështu ndihmoj në uljen e teperaturës. Një kontroll për mushkëritë e bëra sot dhe rezultoi pa dëmtime- tha Brataj.

Pyetjes se sa do të qëndrojë në karantinë, Brataj i përgjigjet: "Të paktën për dy javë. Pastaj do shohim. Pjesën më të madhe të familjes e kam jashtë dhe në Vlorë. Këtu kam vetëm një familjar që nuk ka asnjë simptomë dhe është vetëkarantinuar- tha Brataj."

Më herët gjatë mbrëmjes, z.Brataj dha dhe një deklaratë publike që gjeni më poshtë:

"Mirembrema te gjitheve. Ju falenderoj pa mase per interesimin tuaj te sinqerte. Vertete eshte shume emocionuese per mua ky reagim solidariteti nga ana juaj. Une aktualisht kam nje gjendje te lehte te semundjes dhe tani po kurohem ne banese. Temperatura ime ne kete moment eshte vetem 37,5 nga 39,5 qe ishte dy dite me pare. Ne personeli mjeksor dhe mbeshtetes, nuk i shmangemi dot betejes, linjes se pare per te cilen jemi pergatitur. Eshte normale, qe sado masa parandaluese te marresh, ne front mund te demtohesh ne kete lufte te padukeshme, ndersa Ju mundeni te ekspozoheni sa me pak. Behuni ju te padukshem per koronavirusin! Qendroni ne shtepi! Tani edhe une do te punoj nga banesa per disa kohe,sepse mundet! Te gjithe bashke do tja dalim! Ju pershendes"