Transmetuar më 25-03-2020, 09:23

Presidenti Ilir Meta do të mbledh Këshillin e Sigurisë ditën e sotme në orën 12:00, ndërsa mësohet se ajo do të zhvillohet online.

Kreu i shtetit do të jetë në Presidencë, i shoqëruar nga Këshilltarët e tij, e ndërsa anëtarët e kabinetit qeveritar, me në krye kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësuesit e tjerë të institucioneve kryesore në vend do të jenë në zyrën e tyre.

E gjitha kjo është bërë për të ruajtur ditancën e sigurisë nga njëri-tjetri, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Në fokus të kësaj mbledhje do të jetë reagimi i të gjitha institucioneve për marrjen e masave lidhur me koronavirusin, ku titullarët do të raportojnë para kreut të shtetit, njëherazi dhe kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

I pranishëm do të jetë edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në emër të opozitës së Bashkuar. Ai ka konfirmuar ditën e djeshme pjesëmarrjen.

Kjo mbledhje ishte planifikuar që dje, dhe vjen një ditë pasi shpalljes që fatkeqësisë natyrore për shkak të koronavirusit, ku deri më tani janë konfirmuar 5 viktima, 10 të shëruar dhe 123 të infektuar./b.l/noa.al/