Transmetuar më 25-03-2020, 13:45

Mes 17 të shëruarve nga COVID-19 janë një mjek dhe një infermier. Bëhet fjalë për mjekun e parë të konfirmuar pozitiv në spitalin e Durrësit dhe një infermier në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndarë lajmin e mirë me publikun nëpërmjët një postimi në Facebook.

“Sot lajmi i mirë është shërimi i një mjeku dhe një infermieri mes 7 qytetarëve të tjerë që sot rezultuan negativë në dy testet e njëpasnjëshme për COVID-19”, shkruan Manastirliu.

Mjeku i spitalit të Durrësit dhe një infermier i Spitalit “Shefqet Nroqi” tashmë të shëruar ndodhen në shtëpitë e tyre ku do të vazhdojnë të jenë të vetëizoluar edhe për 14 ditë.

Duke ndarë lajmin se mes pacientëve të shtruar në spital dhe të vetëkarantinuar, janë 17 numri i qytetarëve që janë shëruar, Manastirliu thotë se po rritet numri i qytetarëve të prekur dhe atyre që kanë nevojë për trajtim në spitale.

Në fund Manastirliu u bën thirrje qëtetarëve që të respektojnë distancimin social dhe të zbatojnë masat e higjienës personale për të ndalur përhapjen e COVID-19.

“Lutemi qytetarë: Distancimi social dhe masat e higjienës janë thelbësore për të ndalur këtë armik të padukshëm❗ #VetëmBashkëMundT’iaDalim🙏🏼”