Transmetuar më 25-03-2020, 20:29

Koronavirusi është bërë shqetësues në mbarë botën.

Izolimi është këshilla më e vlefshme për të gjithë, duke qenë se nuk ka një vaksinë për këtë virus vdekjeprurës.

Në këto ditë kaq të vështirë kur të gjithë jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi, nuk duhet të mungojnë as informacionet e sakta nga mjekët, profesionistët që qëndrojnë vijën e parë të rrezikut me virusin e panjohur që ka gjunjëzuar botën.

Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në Tv Klan ishte mjeku infeksionist Pëllumb Pipero.

Lidhur me matjen e temperaturës çdo mëngjes për të qenë të sigurt, mjeku u përgjigj se nuk është e këshillueshme, nëse individi nuk ndjen shqetësim.

“Në qoftë se nuk ndjejnë që kanë bezdi, që kanë dhimbje koke, që nuk kanë temperaturë, nuk do thosha të rrinë me termometër në dorë, nuk do ta këshilloja. Në rast se ka temperaturë do t’i këshilloja ta maste atë dy herë në ditë, për të qenë të sigurt që temperatura zgjat një 2-3 ditë dhe mbas kësaj fillon kolla dhe vështirësia në frymëmarrje. Pra duhet ta ndjekim me dinamikë, jo të rrimë me termometër në dorë”, tha Pipero.