Transmetuar më 25-03-2020, 22:01

Komisioneri i Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi pohon se nuk ka një datë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe as nuk parashikohet se kur mund të ketë një afat se kur do të nisin bisedimet për anëtarësim. Ai thotë se diskutimi i datave na largon nga puna e vërtetë dhe thekson se ky proces është i bazuar në arritje dhe në merita.

Pohimi erdhi sot në një intervistë për Euronews Albania, një ditë pasi ministrat e Jashtëm të BE i propozuan kryeministrave të BE që të hapen negociatat me dy vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, duke shoqëruar propozimin me një seri të gjatë kushtesh, sidomos për Shqipërinë.

Komisioneri i Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi tha se vendimi dëshmon se dy vendet e kanë të ardhmen në BE.

Pyetje – Komisioner Varhelyi… ju arritët të krijoni unanimitet mes vendeve anëtare për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe ishit në gjendje të realizonit atë marrëveshje kompromisi. Çfarë ndryshon tani për vendet kandidate, a ndryshojnë status, do të kenë monitorim më të madh apo më shumë akses në fonde?

Oliver Varhelyi- Çdo gjë do të ndryshojë për të dyja vendet, sepse duke nisur nga ky moment Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë vende negociuese.

Pyetje – Sidoqoftë është një rrugë e mbushur me kushte, si do ta ndjekë komisioni plotësimin dhe implementimin e kushteve, veçanërisht për Shqipërinë?

Oliver Varhelyi: Njësoj siç e kemi treguar edhe në raportin që kemi bërë publik në fillim të marsit, ne do të vazhdojmë të japim ndihmë të jashtëzakonshme për të asistuar autoritetet shqiptare që të arrijnë rezultatet e duhura për të mundësuar hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Dhe do të vazhdojmë t’u raportojmë vendeve anëtare në lidhje me këto arritje. Kam besim të madh se Shqipëria do të arrijë të përmbushë shumë shpejt çdo gjë që kërkohet për të arritur në hapjen e konferencës ndërqeveritare. Siç edhe mund ta keni vëne re Komisioni ka bërë një deklaratë  në lidhje me realizimin e kushteve, duke theksuar se ka pasur zhvillime të mëdha në Shqipëri. Ne shpresojmë  në vijueshmërinë e tyre madje edhe në përshpejtimin e këtyre hapave për të pasur konferencën e pare ndërqeveritare.

Pyetje – Cilat do të jenë hapat e ardhshëm? Kur do të prezantohet korniza e negociatave? Kur do të bëhet publik raporti tjetër gjatë muajit maj, qershor apo korrik?

Oliver Varhelyi – Do të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur.  Procesi është kështu. Fillimisht duhet të diskutojmë propozimet për kornizat e negociatave të vendosur nga bisedimet e Këshillit. Ne mund ta bëjmë këtë vetëm duke qenë në koordinim me vendin në fjalë. Kështu që fillimisht duhet të ulemi dhe të diskutojmë me autoritet shqiptare. Të prezantojmë idetë tona dhe të përpiqemi të biem dakord për një draft të legjislacionit/kornizave të negociatave, të cilën më pas do t’ia paraqesim këshillit. Ne planifikojmë ta paraqesim atë së bashku me paketën e zgjerimit në qershor. Pas saj vendet anëtare do të fillojnë të diskutojnë në lidhje me të  dhe më pas mund të ndiqet nga konferenca e parë ndërqeveritare.

Pyetje – Komisioner Varhelyi, ju jeni shumë i kujdesshëm për të mos dhënë një datë ose të përcaktoni sesi do të shkojë procesi. A mund të na jepni një datë të mundshme optimiste për hapjen e negociatave me Shqipërinë?

Oliver Varhelyi: Diskutimi i datave na largon nga puna e vërtetë. Ky proces është i bazuar në arritje, është i bazuar në merita. Kur të kemi çdo gjë gati konferenca e pare ndërqeveritare do të fillojë. Mendoj se të gjithë jemi të qartë se çfarë duhet bërë, le të fokusohemi aty dhe të bëjmë të pamundurën për ta bërë sa më shpejt. Komisioni është pjesë e saj dhe duam një progres të shpejtë.