Transmetuar më 25-03-2020, 22:27

Një shef teknologjie nga Britania ka rrëfyer momentin e dhimbshëm kur dy pacientë me koronavirus ndërruan jetë para syve të tij.

40-vjeçari Jozef Wallis u sëmur rreth dy javë më parë pasi kaloi një mbrëmje jashtë në Londër. Ai u përpoq të luftonte koronavirusin në shtëpi, por shkoi me urgjencë në spital pasi filloi kollitja e pakontrollueshme që po e linte pa frymë.

Jozef thotë se ka parë pacientët e shtruar pranë tij, të cilët humbisnin luftën me koronavirusin. Në një intervistë për Mail Online, ai i bën thirrje njerëzve që të zbatojnë rregullat dhe të qëndrojnë në shtëpi.

"Dy pacientë ndërruan jetë para syve të mi. Një burrë të moshuar nuk e pashë më. Infermierja më tha që kishte vdekur. Një burrë tjetër u dërgua në kujdes intensiv, por nuk ia doli. Edhe ai ishte i vjetër, si dhe kishte sëmundje të mëparshme. Por ishte gjysh, baba dhe bashkëshort. Ai do i mungojë të afërmve", tha Jozef.

Në përfundim bëri thirrje se njerëzit duhet të anulojnë planet me miqtë, në të kundërt do të vdesin më shumë njerëz./a.m/noa.al