Transmetuar më 25-03-2020, 23:13

Ka kaluar mocioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës për dorëheqjen e qeverisë Kurti.

Kjo ka ndodhur sot në një seancë të gjatë me shumë diskutime.

Për rrëzimin e qeverisë Kurti, kanë votuar 82 deputetë, kurse 32 deputetë ishin kundër dhe 1 abstenim.

Albin Kurti drejtoi ekzekutivin e vendit për vetëm 51 ditë, duke qenë kjo qeveria më jetëshkurtër ndonjëherë në Kosovë.

Mocionin për rrëzimin e Kurtit e nisi Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën Lëvizja Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës.

LDK-ja e prishi koalicionin pasi Kurti shkarkoi pa paralajmërim ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Në një fjalim të ashpër para votimit, Albin Kurti tha se beteja politike dhe sulmi ndaj tij nuk po bëhet për ministrat e LDK-së dhe as për situatën me koronavirusin.

Kurti tha në mënyrë të qartë se po kërkohet largimi i tij për t’i hapur rrugën shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai deklaroi se është i bindur se ka një marrëveshje mes presidentit Hashim Thaçi dhe Serbisë, e cila do të vihet në zbatim me ikjen e qeverisë së Vetëvendosjes.

“Le të mos jemi të verbër dhe të mos bëjmë sikur nuk e dimë se kush është synimi. E takova Thaçin, dy orë dhe nuk ramë dakord. Ideja nuk ishte të heqim vetëm tarifën, por kuptova se ka pazare për marrëveshje me Serbinë”,– tha Albin Kurti.

Nga fjala e Albin Kurtit

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Kurti deklaroi se ky mocion mosbesimi nuk ka të bëjë as me ministrin e shkarkuar dhe as me tërheqjen e trupave amerikane, por me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territori mes Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk mund të realizohet nëse ai është kryeministër.

“Nuk më dhimbset kjo qeveri dhe vetja, por qytetarët. Ky mocion synon ta lerë popullin pa qeverinë që ai ka votuar. Ky mocion synon ta lerë pa qeveri në mes të përhapjes së koronavirusit, në javën më të rëndësishme. Ne po japim shembull si menaxhohet situata nga koronavirusi. Populli e di që nuk kam mbështetjen e opozitës dhe disa deputetë të LDK, por kam mbështetjen e tij. Motori i këtij nxitimi nuk ka të bëjë me ministrin, por me një marrëveshje të gatshme për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi. Ky pazar presidencial me mua kryeministër nuk bëhet. Me mua kryeministër nuk ka marrëveshje për shkëmbimin e territorit as në Shtëpinë e Bardhë dhe atë të Gjelbër. Marrëveshjen e gatshme ma konfirmoi dhe presidenti kur e takova. Thaçi më përsëriti 3 herë heqim taksën, shkojmë në Uashington dhe heqim Serbinë njëherë e mirë qafe. Këto janë pazare të rrezikshme”, deklaroi Albin Kurti.