Transmetuar më 26-03-2020, 08:26

Meqenëse në këtë periudhë izolimi thuajse të plotë, shumë duhanpirës nuk përmbahen nga tymosja e cigareve, këshillat për të ruajtur shëndetin tonë janë jetike.

Ekspetët alarmojnë se konsumimi i duhanit është i dëmshëm për sistemet trupore, përfshirë sistemin kardiovaskular dhe atë të frymëmarrjes në veçanti.

Sipas mjekëve, kjo lidhje midis COVID-19 dhe shëndetit kardiovaskular është alarmuese sepse përdorimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij edhe pa tymosur vetë, janë shkaqet kryesore të sëmundjeve të zemrës në përgjithësi. Efekti i COVID-19 në sistemin kardiovaskular mund të bëjë që sëmundjet para-ekzistuese kardiovaskulare të përkeqësohen.

Është e qartë se duhani ka një ndikim të madh sidomos në sistemin e frymëmarrjes. Lidhja midis përdorimit të duhanit dhe tumorit të mushkërive është e njohur. Duhani gjithashtu rrit ndjeshëm rrezikun e tuberkulozit.

Më tej, përdorimi i duhanit është gjithashtu faktori më i rëndësishëm i rrezikut për sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (COPD), duke shkaktuar enjtje dhe çarje të qeskave të ajrit (alveolave) në mushkëri, gjë që zvogëlon aftësinë e mushkërive për të marrë oksigjen dhe për të larguar dioksidin e karbonit, zvogëlon formimin e mukusit, që rezulton në kollitje të dhimbshme dhe vështirësi në frymëmarrje.

Kjo mund të ketë pasoja për duhanpirësit, duke pasur parasysh që pirja e duhanit konsiderohet të jetë një faktor rreziku për çdo infeksion të traktit të poshtëm të frymëmarrjes dhe virusi që shkakton COVID-19 prek kryesisht sistemin e frymëmarrjes, duke shkaktuar shpesh dëme prej atyre të lehta deri tek ato shumë të rënda të frymëmarrjes.

Të dhënat nga Kina, ku ka origjinën COVID-19, tregojnë se njerëzit që kanë sëmundje kardiovaskulare dhe probleme të frymëmarrjes të shkaktuara nga përdorimi i duhanit, janë në rrezik më të lartë për të zhvilluar simptoma të rënda të përshkruara në epideminë COVID-19.

Për më tepër, një sistem kardiovaskular më i dobët në mesin e pacientëve me COVID-19, me një histori të përdorimit të duhanit, mund t’i bëjë këta njerëz të ndjeshëm ndaj shenjave të rënda, duke rritur dukshëm edhe mundësinë e vdekjes.

Ndaj është shumë e rëndësishme që të ndiqen këshillat e mjekëve për përballimin e kësaj pandemie që ka përfshirë tërë globin, e cila po precipiton me zgjerim të vrullshëm të rasteve dhe me një shkallë në rritje të vdekshmërisë. /b.l/noa.al/