Transmetuar më 26-03-2020, 08:41

Mjeku i njohur Tritan Kalo ka postuar në profilin e tij disa foto që tregojnë grumbullime njerëzish. Ai thotë se fotot janë shkrepur 60 apo 70 metra në vijë ajrore nga Infektivi, ku dhjetëra njerëz të tjerë po luftojnë me COVID-19, në një betejë për jetë a vdekje.

Duke iu kërkuar ndërgjegjësim qytetarëve, por edhe duke iu përmendur kapacitetet mjekësore që s’janë pa limit, Kalo i këshillon që me sjelljen e tyre të pabindur ndaj kufizimeve, të mos i shtyjnë kufijtë e mundësive për ndihmë, drejt pamundësisë.

“Njësia Administrative nr. 2 e nr. 3, Tiranë, 25 Mars 2020, ora 12:45. Në vijë ajrore vetëm 70-80 metra e ndajnë këtë grumbullim njerëzish, nga dhjetra vëllezër e motra të tyre të hospitalizuar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUT “Nënë Tereza”, për Covid-19. Ju lutem, më shumë respekt, më shumë dashuri dhe më shumë vlerësim për jetët tuaja.

Me këtë mënyrë të papërgjegjëshme sjelljeje, do t’i shtoni rrezikun vetes suaj që të sëmureni nga Sars-Cov2/Covid 19. Kapacitetet në burime njerzore dhe në infrastrukturën e shtrimeve spitalore kanë një kufi, ato nuk janë të pakufijëshme kudo në botë, përfshirë edhe Shqipërinë.

Ndërgjegjësohuni sa ende jemi larg kësaj sprove. Në të kundërt do të mbërrijmë në një ditë, që askush nuk do mundet t’ju vijë në ndihmë. Së paku dëgjoni e shihni se çfarë po ndodh aktualisht në Itali, në Spanjë e gjetkë. Jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në çdo moment, por mos i shtyni kufijtë e mundësive të ndihmesës ndaj jush në honet e pamundësisë.”

Kalo ka dhe një kritikë për bashkinë e Tiranës që drejton Erion Veliaj: "A ka Polici Bashkiake të pranishme në këto Njësi vendore?" /b.l/noa.al/