Transmetuar më 26-03-2020, 11:09

Ai është një nga personat që ka mposhtur virusin vdekjeprurës, ndërkohë që prej 3 ditësh ka lënë spitalin Infektiv dhe qëndron në banesë.

Bëhet fjalë për 30-vjeçarin Erind Cara, me profesion fizioterapist. Në ambientet e shtëpisë së tij, i riu ka dhënë një intervistë përmes Skype-s, duke u ndalur fillimisht se si i nisën shenjat e COVID-19. Erindi tregon se erdhi si diçka e papritur.

“Bëj një jetë aktive, sportive. Shpresoj se erdhi si pasojë e një ftohjeje dhe u dobësua imuniteti. Kalova një ftohje në shtëpi, një javë me temperaturë dhe djersë shumë. Shkova tek Sanatoriumi "Shefqet Ndroqi", pasi u shqetësova për frymëmarrjen. Atje bënë analiza. Më bënë dhe tamponin e dola pozitiv".

Duke detajuar shenjat e infektimit, Erindi vijon rrëfimin duke treguar se më datën 5 mars ishte fillimi i temperaturës, që shkonte 37 e gjysmë e 38, por edhe ato djersët që shoqërojnë një grip normal. “Nuk kisha kollë, asnjë shqetësim tjetër. Që në momentin që nisi kjo temperaturë kam qenë në shtëpi. Gjëja e vetme që kam bërë ka qenë një vizitë në datën 6 mars në Infektiv, duke menduar se ka qenë një virozë. E mora recetën e antibiotikëve që i mora në shtëpi pastaj. Për 5 ditë dhe ishte antibiotik kokërr.

Temperatura zgjati deri në 6 ditë, deri në 39 e ca. Më pas bëra një vizitë tjetër, fillova një antibiotik tjetër, intraantimuskular. Për të luftuar këtë pneumoni a ftohje që kisha marrë. Pastaj mbarova dhe nuk kisha më temperaturë. Por s’më dukej normale kjo pjesa e frymëmarrjes, se po lodhesha me pak gjëra që po bëja. Shkova në Sanatorium dhe bëra skanerin dhe aty rrodhi e gjitha.

U bë tamponi në Sanatorium dhe më pas u shoqërova në Infektiv për të pritur dhe rezultatin e tamponit. Në spitalin e Sanatoriumit nuk kam qëndruar shumë, s’kam pasur kontakt. Gjendja e koronavirusit ishte shpallur dhe masat ishin marrë. Në dhomë kam pasur një person tjetër. Të infektuar kanë qenë gati te 30 persona", thotë  i riu.

Erindi thotë se ka pasur kontakte jo të pakta dhe tregon se është i paqartë si mund të jetë infektuar: "Kontakte s’di ta përkufizoj tamam, kam pasur kontakte shumë. Por mendoj se kam pasur një takim me një shokun tim që ka ardhur nga Italia në 28 shkurt. Ka qenë jeta ime normale, sport, fizioterapia, pacientët e mi. Se saktësoj dot se ku e kam marrë”, shprehet i riu për News24.