Transmetuar më 26-03-2020, 14:56

Në vijim të operacionit kundër informalitetit, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të abuzimit me çmimet e medikamenteve, produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve, gjatë 24 orëve të fundit u proceduan penalisht 3 administratorë subjektesh dhe u ndëshkuan me masë administrative 9 të tjerë.

Pas ankesave nga qytetarët në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, të cilët kanë denoncuar subjekte që abuzojnë me çmimet e produkteve që tregtojnë në pikat e shumicës dhe të pakicës të tregut të fruta-perimeve, ushqimeve dhe produkteve farmaceutike apo që nuk u lëshojnë kuponin tatimor, në të gjithë vendin vijojnë kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve.

Në Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me strukturat e Hetimit Tatimor dhe AKU-së, ndëshkuan administrativisht 7 administratorë subjektesh.

Janë ndëshkuar me masë administrative 50.000 lekë, 7 administratorë, konkretisht shtetasit J. P., K. B., M. Xh., K. S., P. C., M. A. dhe G. P., pasi në tregun agroushqimor, në minimarketet dhe marketet në pronësi të këtyre shtetasve janë konstatuar raste të abuzimit me listën e çmimeve, si dhe moslëshim i kuptonit tatimor.

Gjithashtu, po në Tiranë u procedua penalisht shtetasi P. Ç., për mospagim takash dhe tatimesh, si dhe fshehje të ardhurash, pasi në farmacinë e tij tregtonte medikamente pa kupon tatimor.

Në Vlorë u ndëshkuan me masë administrative 50.000 lekë secili, shtetasit M. I., dhe A. A., pasi gjatë kontrolleve nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit Tatimor dhe AKU-së, në subjektet e këtyre shtetasve u konstatua se nuk lëshohej kupon tatimor.

Gjithashtu, po në Vlorë u proceduan penalisht shtetasi M. Xh., pasi është konstatuar duke ushtruar aktivitet tregtar të padeklaruar në institucionet përkatëse dhe shtetasi E. Gj., pasi u konstatua se ushtronte aktivitetin tregtar në mënyrë të parregullt. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE