Transmetuar më 26-03-2020, 15:06

Një mbledhje online qeverie, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, lidhur me menaxhimin e situatës prej koronavirusit.

Gjatë saj kreu i qeverisë deklaroi preraz se taksat dhe sigurimet do paguhen.

“Do paguhen sepse përndryshe nuk shkojmë dot përpara në këtë luftë dhe përfundojmë në një gropë ku as korona nuk na gjen dot, edhe po të na kërkojë. Ashtu sikundër pagesat e dritave do bëhen një për një. Kush nuk do paguajë drita nuk do ketë drita, nuk ka diskutim. Këtu nuk është bërë deti kos, përkundrazi. Mospagesa e dritave krijon një efekt zinxhir negativ në të gjithë hallkat e financave dhe pastaj nuk kemi mundësi t’i përgjigjemi nevojave të luftës, por jo vetëm kaq, po mund të përfundojmë pastaj në kolaps. Kështu që pagesa e dritave nuk negociohet, ashtu sikundër detyrimet bazike nuk negociohen. Nuk ka negocime për këto. Kemi falur kamat vonesat komplet, kemi fshirë kamat vonesat për të gjithë. Tani të gjithë janë vetëm në raport me aktualitetin, çfarë shpenzojnë, atë paguajnë. Kush thotë që nuk kam mundësi se shpenzoj shumë, të shpenzojë më pak, të kursejë dritat dhe të paguajë më pak. Nuk ka rrugë tjetër”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se nuk mundet dot që të hyjmë në një situatë krize në sektorin e energjisë nga e para, sepse implikimet janë të jashtëzakonshme.

“I bie që të heqim nga buxheti, për të financuar OSHEE-në. Ato që heqim nga buxheti, kujt do ia heqim? Do ia heqim financave të luftës? Nuk ka shans”, tha ai. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE