Biseda me komisionerin e zgjerimit, Basha: Kërkova të shtohet ndihma ndaj Shqipërisë
Transmetuar më 26-03-2020, 19:01

Kryedemokrati Lulzim Basha në një komunikim të mbrëmjes së sotme informoi lidhur me video-konferencën që pati ditën e sotme me Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi.

Ai tha se e falenderoi atë dhe Bashkimin Europian për shprehjen e vullnetit pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë, pas përmbushjes së 15 kushteve.

Në këtë linjë shtoi se e garantoi se opozita, Partia Demokratike dhe ai personalisht, do të bëjmë gjithçka që është në dorën e tyre për të kontribuar për plotësimin e këtyre kushteve.

Sipas Bashës, plotësimi i 15 kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme për këtë, do të sjellin jo vetëm hapjen e negociatave, por edhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e mirëqenies ekonomike për çdo familje shqiptare.

“Komisionerin dhe Bashkimin Europian i falenderova edhe për ndihmën që i akorduan Shqipërisë për të përballuar pasojat e koronavirusit, dhe i kërkova të shohin çdo mundësi për ta shtuar këtë ndihmë, pasi përveç pamundësisë për plotësimin e nevojave në shëndetësi, Shqipëria është një vend me nivel të lartë varfërie dhe e ka të domosdoshme mbështetjen për familjet në nevojë, për shtresat në nevojë, për biznesin dhe për ekonominë”, u shpreh Basha.

Ai tha se i kërkoi edhe mundësinë e rialokimit të fondeve brenda instrumentit të paraaderimit, që njihet si IPA, në drejtim të tre prioriteteve kryesore:

– Mbështetje për shëndetësinë.

– Mbështetje sociale për njerëzit në nevojë.

– Mbështetje për biznesin dhe ekonominë shqiptare.

“Po kështu i kërkova komisionerit të bëjnë gjithçka për të na ndihmuar edhe me instrumentet e tjera në dispozicion të Bashkimit Europian, si Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Të dashur bashkëqytetarë! Nuk jemi vetëm. Pavarësisht ditëve të vështira që po kalojmë, të jeni besimplotë se ditë më të mira do të vijnë për ju, për familjet tuaja dhe për Shqipërinë”, tha në mbyllje Lulzim Basha. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE

Loading...