Transmetuar më 26-03-2020, 23:10

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sonte se ka ndërruar jetë në spitalin infektiv pacientja 85-vjeçare, viktima e shtatë e COVID-19 në Shqipëri.

Gjatë mbrëmjes së sotme ndërroi jetë një paciente 85-vjeçare nga Tirana, e cila ka mbërritur gjatë pasdites në spitalin infektiv, në gjendje të rëndë.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për disa orë, 85-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë.

E moshuara vuante nga disa sëmundje kronike dhe u konfirmua me COVID-19 në spitalin Infektiv. 85-vjeçarja është viktima e shtatë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë tha se i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe i bën thirrje dhe një herë qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm në rast të shfaqjes së shenjave të sëmundjes dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare në numrin 127!