Transmetuar më 27-03-2020, 14:00

Ndërsa çdo ditë e më shumë Organizata Botërore e Shëndetësisë po i konsideron joparësore kufizimet e lëvizjes, kryeministri shqiptar ka vendosur t’i thellojë ato me masa të tjera drastike.

OBSH: Mbyllja në shtëpi nuk është zgjidhje, testoni popullin që të zhduket koronavirusi

Duke nisur nga dita e hënë 30 mars 2020 dhe për një periudhë të pacaktuar, vetëm një person i familjes do të lejohet që të dalë nga shtëpia dhe kjo lëvizje do të bëhet vetëm duke marrë më parë leje nga shteti.

E gjitha kjo, sepse kryeministri ka vlerësuar se njerëzit duhet të marrin leje online për të dalë nga shtëpia, çka për mosha jo të reja bëhet gjithnjë dhe më e vështirë.

Sipas të dhënave që publikoi në faqen personale të Facebook z.Rama, një aplikacion online po bëhet gati dhe kjo apo sms, "nga e hëna e deri në mbarim të luftës, do të jetë e vetmja rrugë për të dalë nga shtëpia në Tiranë dhe në qendrat urbane".

Në këtë mënyrë qartësohet se në fshatra nuk do të ketë asnjë kufizim të tillë pasi ky urdhër vlen vetëm për qendrat urbane, pra për qytetet.

Masat e reja drastike nuk po shihen me optimizëm nga disa qytetarë. Një grua rreth 57 vjeçe e cila jeton vetëm me të shoqin disa vite më të madh, thotë se nuk mund të përshtatet me teknologjinë dhe e konsideron ufologjike përveçse anormale që të marrë leje nga shteti për të blerë bukë poshtë shtëpisë. "Në vend që të bëjë të tilla gjëra, kryeministri duhet të dëgjojë OBSH që po thotë përditë se duhen bërë teste, teste, teste, që të shpëtojë njerëzia. Harxhojnë para për të nxjerrë tanket në rrugë dhe nuk blejnë tamponë që populli të dijë si të mbrohet", – pohon qytetarja e shqetësuar.

Sugjerime të tilla po shtohen nga njerëzit qv reagojnë në publik dhe rrjete sociale.

Nga kryeministri që ka ekskluzivitetin e informacionit mbi urdhrat që duhet të zbatojnë qytetarët shqiptarë, nuk ka deri tani ndonjë pajtim me kërkesën për testim masiv të popullatës nga koronavirusi.

Lexo dhe Koronavirusi, Ogerta Manastirliu refuzon të testohet popullata

Ndërkohë, për të tretën fundjavë rresht, sërish shqiptarët duhet të izolohen krejtësisht në shtëpitë e tyre nga e shtuna ora 13:00 e deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit.

Koronavirusi në Shqipëri u identifikua zyrtarisht më 9 mars 2020 me dy raste të para të importuara nga Italia, atë e bir. Që atë ditë kryeministri Rama shpalli kufizime drastike dhe më tej mbylli kufijtë duke mos lejuar hyrje-daljen nga vendi të njerëzve.

Kjo mbyllje kufijsh u kërkua me ngulm nga qytetarë dhe ekspertë, që kur nisën rastet e para në Itali, me parimin "më mirë të mbyllemi në Shqipëri se brenda në shtëpi", por Edi Rama zgjodhi ta bëjë këtë vetëm pasi dolën rastet e para. Pak ditë më vonë, ai tha në intervistë televizive se synon të bëjë histori, duke korrur sukses me kufizimet drastike për largimin e koronavirusit.

Në daljen e sotme në faqen e vet në Facebook, z.Rama tha sot se po luftohet me një armik të padukshëm "që nuk jua solla unë" dhe se vendi është në luftë. /noa.al/