Transmetuar më 29-03-2020, 17:58

Ndërsa po vuajnë periudhën e gjatë të izolimit në shtëpi, banorët në rajonin e Durrësit, Kavajës dhe në Rrogozhinë, po përballen me ankth dhe pasiguri për jetën e tyre, banesat dhe bizneset.

Disa persona të dhunshëm kanë qarkulluar në këto zona, duke bërë plaçkitje të shtëpive dhe bizneseve edhe në këto kohë kur gjithë njerëzia është e mbyllur në banesat e tyre.

Shqetësimin e banorëve e pohon dhe drejtoria e Policisë së Shtetit. Ajo thotë se po bën përpjekje për neutralizimin e të dyshuarve të një serie ngjarjesh që lidhen me grabitje të dhunshme dhe vjedhje të tjera.

Një ndër rastet më shqetësuese është ai i datës 19 mars, në lagjen nr. 5, Kavajë, ku persona të armatosur kanë vjedhur me thyerje në banesën e shtetasit L. K.

Më herët më 14 mars gjatë natës, në fshatin Synej, është kryer plaçkitje me thyerje në banesën e shtetasit I. M. dhe tri ditë më parë, më 11 mars, është bërë plaçkitje e dhunshme dhe në banesën e shtetasit Z. L.

Nisur nga kjo situatë, por edhe disa raste të tjera ngjarjesh të tilla të shëmtuara, policia lokale është vënë në lëvizje dhe tha sot se ka arrestuar dy persona të dyshuar si autorëve të këtyre grabitjeve.

Në kuadrin e operacionit policor "Rrakulli" për kapjen e autorëve të vjedhjes së banesave me thyerje dhe me dhunë, u zbuluan dhe prangosën autorët e 12 rasteve të vjedhjes së banesave me thyerje e dhunë.

Të arrestuarit janë E. L., 28 vjeç, banues në Kavajë, pasi gjykata e Rrethit Kavajë i kishte caktuar masën e sigurimit "Arrest në burg", për veprën penale ”Vjedhja me dhunë”, dhe shtetasi K. L., 34 vjeç, banues në Kavajë, i cili aktualisht është me masë sigurimi “Arrest në burg).

Që të dy, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, më 21 shkurt akuzohen edhe se në lagjen nr. 4 Kavajë, kanë tentuar të vjedhin me dhunë, duke goditur me sende të forta në kokë shtetasin Xh. L., 81 vjeç.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se të dy këta shtetas janë autorë edhe të disa rasteve të tjera të vjedhjeve me thyerje e dhunë, mes tyre ato të përmendura më sipër. /noa.al/