“Mora biletën e fundit për t’i propozuar të dashurës në anën tjetër të botës”
Transmetuar më 31-03-2020, 08:50

Eihab Boraie është një artist multimedial, organizues festivalesh dhe shkrimtar i pavarur, i cili ka fituar shumë çmime ndërkombëtare dhe tani është anëtar i ekipit ‘CairoScene’.

Të qëndroja në Kajro me familjen apo të kapja avionin e fundit për në Kanada që të takoja dashurinë e jetës time? Më duhej të vendosja shpejt por kisha frikë se udhëtimi gjatë kësaj pandemie ishte ekuivalent i vetëvrasjes, ose më keq, vrasje.

Kur Covid-19 filloi të përhapej në të gjithë botën, besoja se asnjë vend nuk ishte i sigurtë dhe vetë-izolimi ishte gjëja më e mirë e mundshme. Prapëseprapë, dashuria do ju bëjë të bëni marrëzira.

Unë jam një kanadez-egjiptian dhe e dashura ime është italiano-amerikane, Francesca Brundisini, e cila po punon në qytetin Quebec. Ajo është e re në qytet dhe u frikësua se izolimi i vetëm, pa miq apo familjen, do të ndërpriste komunikimin, nëse prekej nga virusi.

Kur lajmet për pandeminë shpërthyen në të gjithë botën, të dy kuptuam se kjo krizë do të zgjaste më shumë se disa javë. Ishte distanca, pasiguria dhe një nënë italiane e alarmuar, që më shtyu të bëja diçka.

Nuk kisha asnjë garanci që do të gjeja një biletë dhe lënia e familjes vetëm, ishte torturuese. Të dy prindërit e mi janë rreth të 60-ve dhe janë shumë të rrezikuar, sepse vuajnë nga probleme të ndryshme shëndetësore, përfshirë diabetin dhe problemet me zemrën. Të largohesha prej tyre do të thoshte se mund të mos i shihja më kurrë.

Ata më inkurajuan të provoja të gjeja një biletë, sepse ishin të shqetësuar për partneren time që ndodhej e vetme në Kanada, por edhe sepse ne të gjithë menduam se gjetja e një bilete do të ishte e pamundur.

Sapo Egjipti njoftoi që aeroportet e tij do të mbylleshin më 19 mars, biletat e vetme të mbetura u rritën nga 700 dollarë në mbi 3,000 dollarë, shumica prej të cilave do të ndalonin në vendet e shkatërruara nga virusi.

Vendosa të provoja shansin dhe shënova emrin në listën e pritjes të EgyptAir për një fluturim të drejtpërdrejtë në Toronto, duke shpresuar për një mrekulli. Supozoja se mënyra e vetme për t’u kthyer në shtëpi ishte nëse qeveria kanadeze dërgonte një aeroplan për kanadezët e bllokuar.

Në mënyrë të pabesueshme, disa orë para mbylljes së aeroportit, unë mora një telefonatë që vërtetonte se kisha një vend në fluturimin e fundit për në Kanada.

Nxitova për në zyrën e EgyptAir dhe mora biletën. Teksa dilja, syri më kapi një dyqan bizhuterish aty afër. Ishte qesharake që një dyqan i tillë, jo thelbësor, ishte i hapur, por dukej sikur universi e dinte që kisha nevojë për një në atë moment.

Rrugës për në shtëpi, pashë ushtarakët e Egjiptit që shpërndaheshin nëpër qytet duke u përgatitur për të zënë vendet përkatëse, veprim që shpesh tregon që një shtetrrethim mund të ndodhte.

Kujtimet e shtetrrethimit të detyrueshëm gjatë kryengritjeve të Egjiptit filluan përsëri, por këtë herë, këto masa, çuditërisht ishin për të kufizuar infeksionet.

Arrita në aeroport dhe i dhashë një përqafim të madh prindërve, duke shpresuar se nuk do të ishte i fundit. I mbingarkuar me emocione, hyra në terminal duke pritur të shihja skena kaosi. Në vend të kësaj, ndërtesa ishte bosh.

Para kësaj pandemie, Aeroporti i Kajros kishte qenë shumë i qetë, pasi turizmi ishte përballur me trazirat e fundit politike dhe shoqërore, pas kryengritjeve të Egjiptit. E kisha parë bosh gjatë atyre kohërave, por këtë herë ishte ndryshe. Nuk kishte radhë gjatë kontrollit të sigurisë. Përgjatë aeroportit, dukej se shumica e punëtorëve mbanin maska ​​dhe ndonjëherë doreza, por jo të gjithë. Vura re që disa punëtorë që merreshin me karrocat e bagazhit nuk kishin marrë masa.

Kur mbërrita tek sporteli i kontrollit, m’u tha se ky ishte fluturimi i fundit për në Kanada. Në atë kohë nuk kishte asnjë fluturim tjetër. Mungesa e nisjeve ishte një lehtësim, pasi lejonte pasagjerët të distancoheshin shoqërisht nga njëri-tjetri.

Në asnjë moment nuk u kontrollua temperatura ime dhe askush nuk pyeti për ndonjë simptomë. Më vonë mësova nga një i afërm, i cili mori të njëjtin aeroplan, se u kishin kontrolluar temperaturën gjatë mbërritjes në aeroportin e Kajros.

Radha për të hipur në aeroplan ishte shumë e populluar dhe e pakëndshme. Shumica e pasagjerëve kishin veshur maska dhe dorashka, duke zbuluar vetëm nervozizmin tek sytë. Ata që nuk mbanin maska ishin shpesh të moshuarit apo të rinjtë indiferentë ndaj krizës në fjalë.

Dy pasagjerë nuk pranuan të zinin vendet e tyre, sepse u duhej të uleshin pranë tualeteve. Pas një përpjekjeje të dështuar për të ndërruar vendet, ata më në fund vendosën të humbnin biletat e fundit. Çdo vendim i marrë në këtë udhëtim dukej i lidhur me jetën ose vdekjen. Ulja pranë tualetit në një fluturim tërësisht të rezervuar, me siguri, mund të kshte rritur shanset për t’u infektuar.

Skenari më i keq do të kishte qenë ulja pranë një pasagjeri me simptoma, që është pikërisht vendi ku gjeta veten. I ngecur mes një nëne 72-vjeçare dhe vajzës së saj 38-vjeçare, më bëri që t’u ofroja menjëherë dezinfektues për duart. Nëna mbante një maskë, por kishte rrjedhje hundësh dhe kollë.  Ndërsa vajza, që ishte ulur nga dritarja, nuk kishte asnjë masë mbrojtëse dhe nuk dukej shumë e shqetësuar për rrezikun gjatë të udhëtuarit.

Nuk kishte një pasagjer në bord që mund të parashikonte serinë e vendimeve të marra atë javë dhe dukej se të gjithë duhej të përlesheshin për një biletë. Nisja u vonua nga pasagjerët që nuk pranuan të uleshin afër tualetit. Nëna përmendi se përpjekjet e tyre për të marrë ndihmë nga konsullata nuk ishin të kota. Vajza e saj besonte se vizita personalisht në zyrën e EgyptAir ishte arsyeja që gjetën vende.

Gjatë fluturimit isha në ankth të madh, pasi çdo kollitje më kujtonte se isha përkrah armikut të padukshëm. E pyeta nënën nëse ndihej mirë, por ajo vazhdoi të më siguronte që ishte në rregull.

Arrita në Toronto dhe prita që aeroporti të mbushej me kanadezë që ktheheshin nga e gjithë bota, pasi Kryeministri Justin Trudeau, kohëve të fundit, u kishte kërkuar qytetarëve jashtë shtetit të shkonin në shtëpi. Për habinë time, aeroporti ishte po aq shterpë sa ai i Kajros. Kur zbritëm nga aeroplani, personeli i sigurimit shpërndante broshura për të kujtuar njerëzit që të izoloheshin për dy javë.

Në doganë, ata rastësisht më pyetën nëse kisha ndonjë simptomë, por përsëri nuk ma kontrolluan temperaturën. Asnjë nga punonjësit në sportel nuk kishte maska. Deri në fluturimin tjetër, më kishin mbetur 7 orë kohë. Vendosa të eksploroja aeroportin dhe zbulova një klinikë mjekësore. Pyeta nëse bënin test për Covid-19, por ata hapën sytë dhe më dhanë një numër të cilit mund t’i telefonoja nëse kisha simptoma.

Deri në mesditë, në aeroport kishte mbetur vetëm një grusht udhëtarësh. “Unë punoja këtu gjatë SARS, por edhe atëherë, aeroporti nuk ka qenë kurrë kaq bosh,”- më tha një roje i sigurisë së aeroportit. Aeroplani për në Quebec City ishte gjysëm i zbrazët, duke bërë që shumica e pasagjerëve të uleshin vetëm. Pas mbërritjes kuptova se kisha udhëtuar nga Kajro në qytetin e Quebec gjatë një pandemie globale, pa asnjë kontroll themelor.

Kur arrita atje, më shumë se një mijë njerëz kishin vdekur nga Covid-19 dhe numri i të prekurve kishte kapërcyer shifrën 10,000 në botë. Kur e dashura ime Francesca mbërriti, u ula në gjunjë dhe i propozova. Ajo pranoi propozimin tim, ne i hoqëm maskat dhe e bëmë zyrtare me një puthje të gjatë. U lehtësova shumë kur më tha PO, sepse kjo tregonte se udhëtimi ia kishte vlejtur. Nuk mund ta imagjinoj çfarë do të kisha bërë nëse ajo do më refuzonte, pasi nuk mund të kthehesha në Egjipt.

E fejuara e pëlqeu shumë unazën, por të dy e dinim se puthja vulosi çdo gjë, pasi ajo pranoi të infektohej me virusin, të cilin shpresoja të mos e kisha. Kur familja dhe miqtë e saj dëgjuan për fejesën, të gjithë na uruan. Për shumë prej tyre ky ishte i pari lajm i mirë që kishin dëgjuar brenda më shumë se një muaji.

Nëse mësova ndonjë gjë nga kjo krizë është se koha është paparashikueshmërisht e shkurtër dhe nëse do të isha i gatshëm të rrezikoja shëndetin e saj, unë gjithashtu duhet të isha i gatshëm për të kaluar pjesën e mbetur të jetës së bashku., shkruan abcnews. Shpresa jonë është që do të shijojmë njëri-tjetrin përtej dy javëve të ardhshme, por të dy e dimë se nuk ka asnjë siguri nëse rreziku i udhëtimit ia vlejti, derisa karantina jonë të mbarojë.

Kur bota të shërohet, plani ynë është që të martohemi në Itali, në ishullin Giglio, por është e vështirë të imagjinohet kur mund të ndodhë kjo. Deri atë ditë, qëllimi i vetëm është të qëndrojmë të izoluar dhe të mbijetojmë në karantinë.