Soros i jep Italisë 1 milion euro. Po Shqipërisë a do t’i japë miku i Ramës?
Transmetuar më 31-03-2020, 14:18

Miliarderi George Soros i jep Italisë shumën modeste prej një milion euro për të përballuar pasojat e tmerrshme të koronavirusit që deri tani ka marrë mbi 11 mijë jetë njerëzish, ku shumë prej tyre kanë vuajtur mungesën e ventilatorëve për frymëmarrje të drejtuar.

“Open Society Foundations”, një nga organizatat më të mëdha filantropike të botës që drejtohet nga magnati Xhorxh Soros, njoftoi se do të dhurojë një milion euro për qytetin e Milanos për të ndihmuar kryeqendrën financiare të Italisë që të marrë veten pas shpërthimit të COVID-19.

Ky lajm u njoftua nga vetë fondacioni, duke theksuar se Milano është më shumë sesa një shtyllë e ekonomisë italiane.

Ndërkohë, i biri i Sorosit, Aleks Soros, i cili është zv. president i “Open Society Foundations” dhe një person me lidhje të ngushta me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, shpjegoi kontributin e madh që ka dhënë i ati për Evropën dhe historinë e gjatë të donacioneve filantropike në mbështetje të të drejtave të njeriut.

“Gjatë ditëve në vijim, babai im dhe Open Society Foundations do të njoftojnë një sërë ndërhyrjesh që kanë për synim të ndihmojnë në përpjekjet që po bëhen për t’u përballur me këtë krizë shëndeti publik. Sigurisht që duke marrë parasysh rrethanat, nuk është habi që donacioni i parë vjen për Italinë në një moment nevoje, duke dhuruar 1 milion euro për qytetin e Milanës për t’i ardhur në ndihmë më të dobëtëve dhe për të rindërtuar ekonominë e saj”, tha Aleks Soros në një dalje për media.

Sakaq zyra në Shqipëri e Soros dhe as vetë atë e bir, nuk kanë dhënë ndonjë sinjal nëse do të ndihmojnë dhe Shqipërinë në këtë situatë. Soros dhe i biri kanë miqësi të fortë me Edi Ramën, gjithsesi kjo nuk është përkthyer në investime domethënëse për vendin tonë. /e.i/noa.al/