Punoni në të zezë apo jeni pa punë? Ahmetaj: Ja kush përfiton
Transmetuar më 31-03-2020, 22:01

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story” në News 24, sqaroi live se si do të duhet të aplikojnë të punësuarit e biznesit të vogël apo të vetëpunësuarit për të përfituar “pagën e luftës”.

“Kemi nxjerrë një vendim qeverie që detajon mënyrën si do verifikohen dhe paguhen nesër online të punësuarit apo të vetëpunësuarit e biznesit të vogël. Formulari do jetë që nesër i gatshëm për tu plotësuar nga qytetari pranë DPT. Nga DPT mblidhen dhe verifikohen të dhënat. Menjëherë aprovohet në bazë të formularit dhe i paguhet individit në bordero nëpërmjet sistemit banker, kush nuk ka llogari bankare do t’i hapet një llogari”,- sqaroi ai, duke shtuar se përfitues do të jenë 60 mijë e 442 persona.

Por si do të veprohet me personat që punojnë në të zezë apo njerëzit e papunë të bllokuar në shtëpi si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Ministri Ahmetaj sqaroi se ata do të trajtohen me ushqime dhe për këtë ka nisur tashmë një operacion humanitar.

“Kjo është pjesë e operacionit humanitar, po ju them se çfarë ndihmash ju japim ne këtyre familjeve, çfarë lloj ndihme ju jep shteti. Janë 77 mijë e 877 familje me ndihmë ushqimore, 21 mijë e 625 me ndihmë mjekësore si dhe ndarja e pensioneve. Ju duhet të dini që informaliteti është skllavëri. Ndaj iu referova operacionit humanitar ku familjet marrin pako të herëpashershme. Rezerva e shtetit ka sot 20 milionë dollarë për të blerë ushqime për pako”,- sqaroi ai.