Transmetuar më 01-04-2020, 08:54
Lenda narkotike e sekuestruar

Një operacion i policisë së Durrësit i koduar “High quality” (Cilësia e lartë), ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta, duke sekuestruar heroinë, kokainë dhe një shumë të konsiderueshme parash.

Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe hetimeve intensive u vunë në pranga tre persona, si pjesë e një grupi që merrej me organizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike të forta, heroinë e kokainë.

Të arrestuarit janë Elio Çibuku, 28 vjeç, banues në lagjen nr. 6 Durrës, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, organizatori i kësaj veprimtarie kriminale dhe poseduesi i lëndës narkotike; Fabio Karaboja, 20 vjeç, shpërndarësi i lëndës narkotike, si dhe M. M., 20 vjeçe, banues në lagjen nr. 18, Durrës, bashkëpunëtore e shpërndarësit të lëndës narkotike.

Tre të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve, ku Elio Çibuku siguronte lëndën narkotike të cilësisë së lartë, heroinë e kokainë dhe për ta shpërndarë përdorte shtetasin Fabio Karaboja, i cili ndihmohej nga shtetasja M. M.

Lëndën narkotike, Fabio Karaboja e shiste në qytetin e Durrësit, me doza që varionin nga 40 deri në 100 euro një dozë.

Gjatë operacionit shtetasi Fabio Karaboja, u kap me 11 doza heroinë dhe 5 doza kokainë, të cilët i kishte gati për shitje.

Nga kontrolli fizik dhe kontrolli i banesave të këtyre shtetasve u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale, i 244 gramë llojit heroinë dhe 11 doza; 239 gramë kokainë dhe 5 doza dhe dy peshore elektronike.

Gjithashtu u gjet dhe sekuestrua një shumë e konsiderueshme parash, rreth 5 milionë lekë të vjetra, e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, si dhe një biçikletë që përdorte shtetasi F. K., për të shpërndarë lëndën narkotike.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al