Transmetuar më 01-04-2020, 13:39

Ish zëvendësministri  i Financave, Florjon Mima, e sheh me shqetësim mënyrën si kryeministri Edi Rama po menaxhon pasojat ekonomike dhe financiare të izolimit që i ka bërë vendit në përpjekje për të frenuar përhapjen e infeksionit të koronavirusit që mund të kolapsojë sistemin e mjeruar shëndetësor në Shqipëri.

Dr. Mima, ish deputet i Partisë Demokratike, duke u ndalur në paketën ekonomike të shpallur nga Rama, thotë se ka një raport shumë të zhdrejtë mes ndihmës shtetërore dhe masave shtrënguese që po aplikohen, raporton noa.al.

Eksperti i njohur i ekonomisë bën një analogji mes masave të marra në Shqipëri dhe atyre të marra nga qeveria kosovare. “Shikoni paketën e ndihmës së Kosovës për qytetarët e bizneset. Masa dinjitoze, njerëzore dhe me plot sakrifica, që gjysma e kombit bën për njerëzit dhe ekonominë e vet. Me një buxhet sa gjysma e këtij tonit heq mënjanë trefishin e shumës sonë. Qeveria shqiptare, nga ana tjetër, ka miratuar një paketë anemike dhe tërësisht të pamjaftueshme”, shprehet zyrtari demokrat.

Prof. Mima bën thirrje për një zgjidhje efektive që është në gjendje t’iu vijë në ndihmë ekonomisë vendit dhe qytetarëve. “Koha thërret për zgjidhje madhore, pasi bëhet fjalë për ekzistencën e ekonomisë sonë e të jetës së bashkëqytetarëve tanë të cilët mund t’i shpëtojnë virusit, por mund të ngelen në kthetrat e urisë, kequshqyerjes, mungesës së të ardhurave por edhe të mungesës së mallrave e shërbimeve jetike në treg.”

Sipas ish zv. ministrit demokrat, katër janë gjërat që kryeministri i vendit mund të bëjë në këto rrethana: 1. Dil mbi veten dhe anulo PPP-të e panevojshme që ke miratuar. Pranoje që më mirë të anulohen ato sesa të pllakosë skamja në vend. Ekonomia e vendit dhe jetët e shqiptarëve kanë më shumë rëndësi se disa kontrata abuzive pa asnjë vlerë për njerëzit, dhe që kanë përpirë pjesën e luanit nga buxheti.

2. Dëgjo zërin e sipërmarrjes. Janë ata motorët që po fiken, por janë ata që e kane mbushur në 30 vjet arkën e përbashkët, dhe sot kur kanë nevojë, kanë të drejtën absolute të marrin nga arka e përbashket. Nuk mundet thjesht t’u thuash ‘merrni kredi’. Kredia është një peshkaqen që po ua nguli dhëmbët do t’ua shqyejë mishin me llokma.

3. Jepu çekun për çdo punëtor që rri ne shtëpi. Çekun për mbijetesë, jo për fitimet e kompanive. Sepse po u ngjall sipërmarrja, më shumë do të kontribuojë nesër ne arkën e përbashkët.

4. Lëre fshatin të punojë e të prodhojë, se nga prodhimet e tyre do te ushqehet populli nesër. Edhe fermerëve jepu një cek në dore që të perballojnë pandeminë si pjesëtare dinjitoze të një familje të madhe.

Kemi rastin, një herë të vetme të sillemi si shqiptarë të mirë e solidare. Opozita e ka bërë pjesën e saj, me aq sa ka mundur. Tani është radha e qeverisë. Që të mos shkoni më në zyrë duke i bërë vetes pyetjen:"Çfarë do t’u themi sot shqiptareve, si do t’ua themi?", por t’i bëni vetes pyetjen "Çfarë do të bej sot për të shpëtuar ekonominë nga vdekja dhe shqiptarët nga mjerimi e uria?"