Transmetuar më 02-04-2020, 11:42

Kryeministri Edi Rama, i përgjigjet opozitës, e cila pretendon se kreu i qeverisë është arrestuar në Itali dhe këtë fakt e ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit.

“O Zot të lutem në gjunjë t’u japësh pak vaj për kandilin e trurit, se u është fikur krejt e nuk dinë ç’nxjerrin nga terri i gojës! Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ‘90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?! Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia!”, shkruan Rama.

Më tej vijon me ironi duke thënë, se “O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre!”

Ky reagim vjen pasi ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se Edi Rama nuk e ka deklaruar arrestimin në shtetin fqinj në formularin e Dekriminalizimit, teksa kujton se në rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet të gjitha funksionet publike, edhe si deputet edhe si Kryeministër. /a.y/noa.al

PD: Rama është arrestuar në Itali, t’i ndërpritet detyra