Transmetuar më 02-04-2020, 19:00

Format e jetës të gjetura në shkëmbinj poshtë shtratit të detit japin shpresë për gjetjen e jetës në Mars

Kur shkencëtarët gjejnë forma mikrobike jete në disa nga mjediset më ekstreme në Tokë, kjo gjë atyre u jep shpresë se mund të gjejnë jetë edhe në planetë të tjerë.

Tani, studiuesit kanë zbuluar miliarda baktere që jetojnë në të çara të vogla që ndodhen në shkëmbinj vullkanik poshtë shtratit të oqeanit, më shumë se 15 km nën sipërfaqen e tij dhe 100 metra nën shtratin e tij dhe këtë e pohon një studim i botuar sot në revistën “Communications Biology”.

Sipas studiuesve, çarje të tilla të ngjashme në shkëmbinjtë e Marsit apo nën sipërfaqen e tij mund të shërbejnë po ashtu si një burim jete. Edhe më parë, shkencëtarët kanë studiuar sisteme bakteresh nga 3.5 deri në tetë milionë vjet, por 90% e oqeanit ka një moshë më të vjetër se kaq.

Johei Suzuki, profesor i asociuar në universitetin e Tokios, Katedra e Tokës dhe Shkencës Planetare dhe kolegët e tij kanë hetuar kampione lave të gjetur 100 metra poshtë shtratit të oqeanit mes Tahitit dhe Zelandës së Re, të cilat kishin një moshë nga 33 deri në 104 milionë vjeçare.

Atje, ata gjetën shumë forma mikrobike njëqelizore jete që jetonin në çarje të vogla mes shkëmbinjve dhe të cilat ishin të pasura me hekur dhe argjilë. Shkencëtarët besojnë se përmbajtja e hekurit në argjilën e gjetur poshtë shtratit të detit e ndihmon zhvillimin e këtyre komuniteteve të mëdha bakteriale.

Argjila është diçka që është eksploruar edhe nga roveri “Curiosity” i NASA-s. Që kur ky rover zbriti në Mars në vitin 2012, ai ka eksploruar kraterin “Gale”, i cili është shtrati i një liqeni të lashtë. Mendohet se miliarda vite më parë, në këtë krater ndodhej një liqen dhe shkencëtarët duan të dinë nëse Marsi ofronte në të shkuarën kushtet e duhura për zhvillimin e formave mikrobike të jetës.

Roveri “Curiosity” ka vëzhguar dhe ka marrë kampione shkëmbinjsh të pasura me argjilë nga shtrati i këtij liqeni dhe këto minerale argjilore, që janë të pranishme në këta shkëmbinj në sipërfaqen e Marsit, mund të jenë të ngjashme me të çarat e shkëmbinjve oqeanik në Tokë. /e.i/noa.al/