Transmetuar më 02-04-2020, 20:37

Një infermiere nga spitalet italiane, tregon përditshmërinë dhe vështirësitë e saj në punë në këto ditë mjaft të vështira.

Ja çfarë shkruan Letizia Fumagalli, infermiere

"Duhet të shohësh anën pozitive të gjërave" më thonë gjithmonë. Nuk kam qenë asnjëherë e aftë ta bëj, në fillim shoh gjithmonë anën negative, prandaj nis nga aty. Bëjmë turne me orare ndryshe nga zakonisht, zgjohemi në 4:30 të mëngjesit ose kthehemi në shtëpi në 1:30, hamë drekë dhe darkë në orare absurde, gjatë turneve mbajmë veshjet e mbrojtjes për orë të tëra dhe të vrasin. Të vrasin aq shumë sa në darkë kur kthehem në shtëpi, kur shtrihem në krevat, e ndjej akoma lëkurën e fytyrës të shkulet aty ku maska më ka lënë shenjat.

Një natë, kur isha gati për gjumë, mendoja se ngjante me ndjesinë kur shkon në plazh dhe djeg mollëzat dhe hundën, por fatkeqësisht detin nuk e shoh prej kaq muajsh. Në shtëpi respektojmë distancën, në repart i kushtojmë vëmendje çdo levizjejë që bëjmë, e dimë se risku 0 nuk ekziston… Por pavarësisht frikës, jemi krenarë për punen tonë, për angazhimin që kemi. Gjatë turnit ndihmojmë, e mbështesim, bashkëpunojmë me njëri tjetrin. Shkëmbejmë ide se si të bëhemi më të mirë, kontrollojmë njëri tjetrin kur vishemi e zhvishemi, mendojmë për njëri tjetrin.

Dhe nëse kjo, përveçse mes infermierëve të ndodhte tek të gjithë ne? Nëse mendojmë edhe për të tjerët përveçse për veten tonë? Nga kjo situatë mund të dalim shumë më solidarë, më të bashkuar, më të përgjegjshëm. Vetëm kështu mund të kthehemi sa më shpejt në normalitet. Vetëm kështu mund të shkojmë në det dhe të ndiejmë lëkurën e fytyrës teksa të djeg për shkak të diellit dhe jo të maskës"./a.k/noa.al/ Burimi: fanpage.it