Transmetuar më 03-04-2020, 10:32

12 raste të reja me koronavirus ë Shkodër u raportuan ditën e djeshme. Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia e cilësoi skandaloze mungesën e vëmendjes për pacientët që shfaqin shenja të sëmundjes në qytetin veriperëndimor.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Spahia quajti neglizhencë kriminale dhe akuzoi testimin e ulët dhe mosrespektimin e protokolleve për frenimin e përhapjes.

“Mediat raportojnë se në Shkodër u konfirmuan edhe 12 raste të reja me COVID-19! Skandaloze është se të prekurit e rinj janë persona që kanë kontaktuar me pacientë të identifikuar më herët! Çka do të thotë se protokolli bazë i verifikimeve nuk është kryer! Ata kanë mundur të lëvizin lirisht, duke infektuar edhe persona të tjerë! Kjo mungesë vëmendje për Shkodrën nuk është diçka e re se është denoncuar edhe më herët nga mjekë e infermierë! Eshtë skandaloze testimi tejet i ulët që i rezervohet Shkodrës dhe mosrespektimi i protokolleve për frenimin e përhapjes së virusit!”, shkroi Bardhi.

Ish-deputeti i bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat në këto ditë të vështira.

“Ftoj bashkëqytetarët e mij të rrisin vetëkujdesin në këto ditë të vështira, duke respektuar rregullat e distancimit social, karantinës e duke treguar pa hezitim nëse kanë historik udhëtimi në vendet e prekura nga COVID-19 apo kanë kontaktuar persona që kanë udhëtuar në ato vende.  Rastet e sotme dëshmojnë se duhet të mbështeteni tek vetja dhe tek keshillat e specialisteve e jo tek autoritetet!”, shtoi Bardhi./a.m/noa.al