Transmetuar më 03-04-2020, 11:15

Buxheti i ardhshëm i BE do të bazohet tek ‘Plani Marshall’ për të nxjerrë Europën nga kriza e koronavirusit, njoftoi presidentja e KE, Ursula Von der Leyen.

“Ne e dimë që në këtë krizë kemi nevojë për përgjigje të shpejta”, tha ajo në një konferencë për shtyp, duke shtuar se buxheti afatgjatë, ishte mjeti më i fortë.

Siç raporton Reuters, Von der Leyen tha se buxheti i ardhshëm i BE-së duhet të marrë formën e një "Plani Marshall" të ri për të nxitur rimëkëmbjen e Evropës nga shpërthimi i koronavirusit.

Shtetet me numrin më të lartë të viktimave nga koronavirusi janë Italia dhe Spanja, vende anëtare të BE-së.

Programi i ndihmës për rindërtim (ERP), njohur gjerësisht si një koncept ekonomiko-politiko-historik me emrin plani "Marshall", ishte programi më i rëndësishëm amerikan për ringjalljen ekonomike të kontinentit evropian pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më 17 mars, vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të mbyllin kufijtë e BE-së për të gjitha udhëtimet jo thelbësore për 30 ditë./a.m/noa.al