Transmetuar më 03-04-2020, 12:00

Shkodra është kthyer në kryeqendrën e Veriut, e treta pas Tiranës e Durrësit për nga numri i rasteve. Nga 27 rastet e reja me koronavirus në vendnë 24 orët e fundit, 12 prej tyre janë nga Shkodra.

Në Shkodër gjithsej janë 22 qytetarët që kanë rezultuar pozitiv me COVID 19. Por si e shpjegon MSH një gjë të tillë?

Në njoftimin e sotëm thuhet se kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.

“Siç shihet, nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra ka numrin më të lartë me 12 raste. Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët ne terren.

Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.

Aktualisht po kryhet hetime epidemiologjike në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19”,- sqaroi MSH.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon: Tiranë 146 raste, Durrës 32 raste, Lushnje 4 raste, Elbasan 8 raste, Fier 25 raste, Kavajë 8 raste, Rrogozhinë 2 raste, Korçë 16 raste, Vlorë 5 raste, Shkodër 22 raste, Lezhë 11 raste, Berat 1 rast, Has 8 raste, Krujë 5 raste, Tropojë 4 raste, Pukë 4 raste, Mirditë 3 raste./b.l/noa.al/