Transmetuar më 03-04-2020, 15:44

Në Repartin Infektiv të QSUT, ka ndërruar jetë një pacient 75-vjeçar i infektuar nga koronavirusi, duke u bërë viktima i shtatëmbëdhjetë ndër 304 të prekur në Shqipëri.

Në një komunikatë të ministrisë së Shëndetësisë në orën 15:40, informohet se pacienti 75-vjeçar A.C., kishte mbërritur në spital në gjendje të rëndë, teksa vuante edhe nga post-hemorragjia cerebrale, diabeti dhe hipertensioni.

"Pacienti me inicialet A.C., ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid19, ndërkohë që, gjendja e tij shëndetësore është rënduar në mënyrë të menjëhershme.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë rekord, pacienti nuk ia ka dalë të mbijetojë", njoftoi ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në rastet e jetëve të humbura në Shqipëri prej koronavirusit, shqetësojnë shumë dy fakte: Së pari, ka një përqindje të lartë të numrit të të vdekurve me të infektuarit e shtruar. Praktikisht, ndër rreth 100 pacientë që janë shtruar atje, 17 vetë ose 17 për qind e tyre, kanë vdekur.

Së dyti, po bëhen më të shpeshta rastet kur pacientët përfundojnë në Infektiv në gjendje të rëndë dhe pak orë pasi futen nën mbikëqyrje mjekësore, humbin jetën. Zyrtarisht, ministria e Shëndetësisë nuk ka nxjerrë ndonjë njoftim ku të informojë se çfarë trajtimi me medikamente u bëhet pacientëve. /noa.al/