Transmetuar më 04-04-2020, 00:15

Mbarë shqiptarët në vend, janë duke përjetuar prej afro një muaji një karantinë ekstreme e cila ka paralizuar jetën e tyre. Nëse nuk bëhen teste masive të popullsisë, i gjithë ky mund do të shkojë dëm, paralajmëroi sonte kryetari i opozitës, Lulzim Basha, duke përçuar në publik fjalën e ekspertëve.

Në një intervistë për ABC News, z.Basha u shpreh se, testimi është i lidhur shumë ngushtë me frenimin e infektimit. Basha tha se situata bëhet më e papranueshme në kushtet kur sipas informacioneve, njerëz me simptoma nuk po testohen.

Lulzim Basha: Duhet të kuptojmë se testimi është i lidhur shumë ngushtë me frenimin e infektimit. Ne mund ta frenojmë infektimin jo thjesht duke qëndruar në shtëpi, jo thjesht duke qenë të izoluar, por duke evidentuar sa më mirë e sa më shpejt të infektuarit, duke marrë masa për t’i izoluar ata apo për t’i kuruar sipas nevojave. Sa më pak të testosh, aq më pak do të dish. Pra testimi ka të bëjë drejtpërdrejtë me aftësinë tonë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit.

Nëse testojmë mund t’i bëjmë qejfin vetes që kemi më pak të infektuar, që kemi më pak të shtruar, por e vërteta është krejt ndryshe dhe për fat të keq shumica e specialistëve, ekspertëve, kanë tashmë një konsensus, bien dakord që kjo që shohim në shifrat zyrtare në fakt është maja e ajsbergut.

Për këtë arsye me të njëjtin intensitet gjatë këtyre ditëve, njësoj si herën e fundit që kemi qenë bashkë në këtë ekran i bëj thirrje qeverisë të ndryshojë urgjentisht dhe kryekëput strategjinë dhe për këtë duhet në radhë të parë të sigurojmë kite, të sigurojmë mjaftueshëm pajisje testimi, laboratorë testimi. Të mobilizohet çdo resurs i gjindshëm në Shqipëri dhe jo të bëhen absurditete që të ngrihemi kundër testimeve apo kapaciteteve testuese. Hapi i parë do të ishte testimi i menjëhershëm i të gjithë atyre që kanë simptoma sepse informacionet janë dramatike. Ka informacione që njerëz me simptoma nuk testohen. Nuk testohen!

Pyetje: Ta sqarojmë, informacione që njerëz që kanë simptoma nuk testohen?

Lulzim Basha: Nuk testohen.

Pyetje: Nuk duan të testohen apo nuk testohen?

Lulzim Basha: Jo,jo. Nuk u bëhet testi. Pra, informacionet që na kanë ardhur, në zona të veçanta numri i testeve është kaq i pakët saqë, nëse çon 4 tamponë në një bashki, nuk po e përmend në cilën, çfarë do te bësh me 4 tamponë? Dhe shikoni se çfarë ndodhi. Në Shkodër u testuan 15 persona dhe dolën 12 të infektuar.

Kjo duhet të ishte kambanë alarmi. Prandaj urgjentisht duhet ndryshuar menjëherë përqasja e deritanishme, e cila mund të na japë një iluzion që kemi një numër më të vogël të infektuarish, por është vetëm një iluzion. Dua të them dhe këtë: e gjithë kjo sakrificë do të shkojë kot dhe gjithë kjo mbyllje në shtëpi, karantinimi, izolimi, distancimi social do të shkojë kot, në qoftë se nuk bëjmë testime masive.