Transmetuar më 04-04-2020, 12:25

Ndërkohë që numri i pacientëve të prekur me COVID 19 në vend ka shënuar sërish rritje sot, me 29 raste të reja në 24 orët e fundit, dalin detaje nga gjendja e pacientëve të shtruar në dy spitalet, te Infektivi dhe në Sanatorium.

Ministria e Shëndetsisë ka bërë me dije sot se në të dy spitalet për Covid-19 në vend po trajtohen aktualisht 71 pacientë.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar”- njoftoi sot MSH.

Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar.

Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga Covid-19 në 99.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./b.l/noa.al/