Transmetuar më 04-04-2020, 13:31

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ndëshkuese që arrijnë deri në heqje lirie për të gjithë ata qytetarë që do të thyejnë rregullat duke rrezikuar veten e tyre, të familjarëve dhe të gjithë shoqërisë nga infektimi me Covid-19.

Duke marrë parasysh se si qytetarët nuk i kanë zbatuar deri më tani rregullat e distancimit social teksa dalin gjatë orarit të lejuar 05:00-13:00, kreu i qeverisë thotë se Policia do të veprojë me një përgjigje reciproke ndaj të gjithë atyre që nuk do të mbajnë radhën dhe distancën. Në tregje do të vendosen kordonë nga policia dhe ushtria.

"Nëse ky është niveli i kuptimit të detyrës qytetare në frontin e kësaj lufte për jetë a vdekje dhe meqë mesa duket ecurinë pozitive të luftës deri tani, shumëkush po e kupton gabimisht si arsye për t’u lëshuar me idenë se s’na gjen gjë, atëherë përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë! Ushtria dhe policitë bashkiake bashkiake do të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve. Policia e Shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja ndëshkimore! Masat e reja ndëshkimore do të jenë ligj ditën e hënë dhe për kokëshkretët do të shkohet deri në heqje lirie!”, shkruan Rama.

Më tej ai shton se, “Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar"./b.l/noa.al/