Transmetuar më 04-04-2020, 14:11

Në një kohë që numri i të prekurve nga koronavirusi po vjen në rritje, Presidenti Ilir Meta bën një thirrje për qytetarët si dhe kërkon që Qeveria për çdo akt të miratuar të bëjë një vlerësim të thelluar.

Kreu i shtetit i fton të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID-19, pasi kjo është në interesin tonë të përbashkët.

“Në këtë mënyrë jo vetëm mbrojmë shëndetin tonë, por ndihmojmë njëkohësisht mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon dhe rrezikon për shëndetin e të gjithëve ne.

Ndërkohë, është me rëndësi që çdo akt i Këshillit të Ministrave që miratohet në këtë situatë, t’i nënshtrohet paraprakisht një vlerësimi sa më të thelluar, në proporcion me gjendjen që dikton domosdoshmërisht miratimin e tyre. Çdo masë e marrë duhet të jetë në përputhje me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar, dhe në harmoni me hierarkinë e normave në fuqi, në mënyrë që miratimi i masave kufizuese të mos rrezikojë krijimin e konflikteve të reja sociale dhe gjyqësore”, shkruan Meta.

Më tej shton se masat kufizuese duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të ligjeve në fuqi, por edhe t’i përgjigjen vetëm nevojës dhe urgjencës së përballimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur nga Këshilli i Ministrave.

Meta shton se bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie për të gjithë. /a.y/noa.al

PËRDITËSIM LIVE