Transmetuar më 04-04-2020, 16:31

Shtëpia e Antonjeta Peros gjatë këtyre ditëve ngjan me një ekspozitë. Punimet e dorës, qëndismat, punimet me grep e me shtiza po vizitohen virtualisht.

Antonjeta është psikologe, por kjo nuk do të thotë se nuk ka dhe një pasion tjetër. Ndaj ajo po vë në jetë pasionin që ka për punimet me grep.

Por pasionin e saj për punimet e dorës, Antonjeta nuk mund të mos e lidhë me situatën, ndaj dhe po përgatit maska artizanale.

Disa coha që 15 vite më parë murgeshat italiane ia bënë dhuratë, tani vlejnë shumë. Sot me to, Antonjeta ka menduar të punojë diçka simbolike, flamurin italian në shenjë solidarizimi me shtetin fqinj, flamur i cili do të valëvitet në katin e pestë të pallatit ku ajo banon.

Punimet që psikologia shkodrane po bën këto ditë, janë kryesisht me copa të riciklueshme që çdokush mund t’i ketë në shtëpi.

Mesazhi që Antonjeta Pero jep u drejtohet veçanërisht grave, që këtë periudhë izolimi ta kthejnë në optimizëm, e pse jo edhe për të risjellin pasionet që në ditët normale për shkak të rutinës dhe punës së përditshme nuk mund t’i ushtrojnë.