Transmetuar më 04-04-2020, 18:52

Mjekët dhe infermierët në një spital të ndërtuar përkohësisht në Sallën e Konferencave IMEFA të Madridit (Spanjë) u përpoqën të ngrenë humorin e pacientëve të infektuar duke u ofruar një shfaqje me këngë dhe kërcim.

Videoja u përhap shumë shpejt nëpër rrjetet shoqërore, duke i dhënë shpresa popullit të një prej vendeve më të prekura në botë.

Salla e konferencave, me hapësirë prej 240 mijë metrash katrorë, po mban momentalisht 1400 shtretër spitali.

Fare pranë ndodhet një pistë patinazhi në akull, me përmasa olimpike, e cila është përdorur kohët e fundit si vend për mbledhjen e trupave të të ndjerëve.

Spanja ka pasur 11.744 jetë të humbura në radhët e të infektuarve, por dy ditët e fundit ka pasur një rënie të lehtë.

Kjo është një shenjë e mirë, që tregon se piku i sëmundjes mund të ketë arritur, dhe tani ka nisur rënia. Spanja i kufizoi lëvizjet e qytetarëve më 14 mars, ndërsa një pjesë e mirë e bizneseve vazhdon të jetë e mbyllur.

Shtetet në të gjithë botën janë duke u përgatitur që të përballen me një kizë të rëndë ekonomike, e cila ka nisur t’i japë shenjat që tani.