Transmetuar më 04-04-2020, 19:25

Një grua në një supermarket australian thuhet se ka kërcënuar me thikë një burrë, ndërsa po debatonin kush do të merrte letrën higjienike. Një student me origjinë kineze nga Singapori u rrah në rrugët e Londrës dhe përfundoi me fraktura në fytyrë. Protestues në ishullin Reunion në Paqësor godisnin me gurë anijen turistike që po ankorohej në port…

Koronavirusi rrezikon të nxjerrë në pah anën e errët të njerëzimit.

Askush nuk e mendon që në Australi ka rezerva pa fund të letrës higjienike, apo që një shtetas i Singaporit nuk ka asnjë lidhje me virusin, apo që asnjë udhëtar brenda anijes turistike “Princess” në Reunion nuk ishte i infektuar.

Incidentet irracionale dhe egoiste nuk përbëjnë përjashtimin nga rregulla, por janë vetë rregulla këto ditë. Por, mentaliteti “secili për vete”, ose “çdo familje për vete”, e madje “çdo shtet për vete”, duket sikur po fiton terren, duke ngritur pikëpyetje për aftësinë e botës për t’u bashkuar dhe për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Udhëheqësit e shteteve të prekura po përpiqen të marrin disi në kontroll situatën. Ata vendosin masa shtrënguese në shtetet e tyre, duke injektuar para në ekonomitë e tyre dhe duke premtuar që sistemi i tyre shëndetësor do të gjejë, në një farë mënyrë, shtretër shtesë, mjekë dhe infermierë, që do t’u duhen në mënyrë të pashmangshme. Megjithatë, duket se ka pak bashkërendim mes shteteve për atë që është natyrshëm një sfidë globale.

Maskat e fytyrës nëpër botë po mbarojnë, pasi njerëz të cilëve nuk u nevojiten po i blejnë me shumicë. Shtetet e Bashkuara janë duke rritur rezervat me to, ndërsa Koreja e Jugut, Gjermania dhe Rusia, kanë ndaluar eksportimin e tyre.

India, ndërkohë, që prodhon 20% të volumit të ilaçeve në botë, ka ndërprerë eksportimin e disa llojeve. Është e vërtetë që nuk ka mundësi të marrë disa përbërës nga Kina, por gjithashtu po rrit rezervat për shtetasit e saj.

Populistët gjejnë fajtorët

Pandemia tashmë ka marrë më shumë se 5000 jetë njerëzish dhe ka infektuar mbi 150 mijë persona, duke u shtrirë në çdo kontinent përveç Antarktidës, duke kaluar edhe kufijtë gjeografikë që kanë qëndruar të mbyllur politikisht.

Udhëheqësit evropianë janë takuar disa herë, por vetëm të martën e kaluar deklaruan se do të merrnin disa veprime të bashkërenduara. Kryesisht vendimet janë për stimulimin e ekonomisë, por jo për zhvillimin e një plani për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit në kontinent, që duket kaq shumë i domosdoshëm në këto çaste.

Ka dyshime të forta që edhe mjetet e zakonshme ekonomike do të shërbejnë për këtë qëllim. Gjatë një krize shëndetësore, injektimi i parave në ekonomi nuk do të bëjë që njerëzit domosdoshmërisht të rrisin shpenzimet. Konsumatorët udhëtojnë dhe blejnë më pak, ndërsa sa i përket prodhuesve, fabrika të tëra në Kinë, Japoni, Korenë e Jugut, e Itali, po mbyllen. Italia, vendi më i prekur në Evropë, dhe i dyti në botë pas Kinës, u ankua se Bashkimi Evropian e ka dhënë me shumë vonesë ndihmën, pasi i duheshin dëshpërimisht maska dhe oskigjenues për pacientët, për të cilat tani po mbështetet nga Kina. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë kritikuar shtetet anëtare për refuzimin e eksportit të maskave të fytyrës, pasi anëtarët e bllokut duhet të zbatojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë mes tyre.

Pandemia vjen në një kohë kur bota tashmë ka nisur të hedhë dyshime mbi globalizimin, dhe për këtë, partitë populiste kërkojnë izolim edhe më të madh. Lideri i opozitës në Itali, Matteo Salvini, bëri thirrje që në shkurt për mbylljen e kufijve, ndërsa Donald Trump e quajti “virus të huaj”, duke fajësuar Evropën për mosveprim të shpejtë e duke ndërprerë fluturimet me shtetet e kontinentit të vjetër, që nga e shtuna edhe me Irlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Pse njerëzit mund të bëhen egoistë dhe irracionalë?

Arsyeja kryesore e sjelljes “secili për vete” vjen nga prirja e njerëzve që t’u besojnë ndjesive të tyre mbi faktet. Kjo është një mënyrë të menduarit “e lashtë”, sipas Paul Slovic, psikolog në Universitetin e Oregonit, SHBA, i cili studion perceptimin e rrezikut.

Ka dy mënyra kryesore të të menduarit, shpjegon ai: Njëra është intuita bazuar mbi ndjenjën, tjetra është një mendim më racional, bazuar mbi arsyetimin shkencor, dëshmitë dhe shkaqet. Sipas Solvic, dominon mënyra intiutive.

“Në ditët e para të njerëzimit në tokë, ndërsa po evoluonim, kishte shumë rreziqe rreth nesh, prej krijesave të rrezikshme apo tribuve të tjera, pra gjithçka shumë e drejtpërdrejtë dhe konkrete. Kështu që, këto reagime, bazuar mbi ndjesitë, ishin të dobishme për të bërë të mundur një reagim të shpejt, dallimin mes mikut dhe armikut, ne kundër atyre”, thotë Slovic për CNN. “Nëse dëgjonim një zhurmë në shkurre që mund të dukej si e shkaktuar nga një kafshë e rrezikshme, askush nuk rrinte të mendonte se çfarë fshihej aty. Thjesht pranonim faktin që ishte një zhurmë e frikshme dhe duhet të largoheshe. Duhet të lëvizje shpejt. Kështu që mbijetesa jonë varej nga fakti që duhet të vepronim shpejt, bazuar te këto ndjesi”.

Ndjenjat, tha ai, zakonisht janë guida të dobishme që na ndihmojnë të marrim vendime të mira çdo ditë. “Është e lehtë, është natyrale, e shpejtë… Është një aftësi mahnitëse që e ka edhe truri i njeriut modern, por vetëm se nuk ndërlidhet mirë me statistikat e shifrat”.

Kjo po ndodh edhe në pandeminë e tanishme, tha ai, pasi shumica e informacionit që vjen nga mediat dhe zyrtarët ka të bëjë me rastet më të rënda të personave të infektuar dhe vdekjet. Nuk po e procesojmë si duhet faktin që pjesa më e madhe e rasteve kalojnë butë, madje edhe pa simptoma.

Nuk është e befasishme që disa njerëz mund të ndihen të kërcënuar nga dikush që vjen nga Wuhani, ku virusi u shfaq për herë të parë, ose nga Kina, ose një shtetet tjetër, sepse, siç thotë Solvic, kjo ndodh për shkak të mënyrë se si funksionon truri ynë.

“Është një reagim i natyrshëm dhe mbrojtës, që mund të jetë edhe i tepruar kundrejt njerëzve që nuk janë rrezik”, tha Solvic. “Por është një emocion që duhet kalitur nga arsyeja… Duhet të mendojmë nëse ky grup njerëzish janë, apo jo, kërcënim për ne? Çfarë thonë të dhënat? Si është niveli i rrezikut? Ajo që shohim është se damka u vihet edhe personave me rrezik tepër të ulët”.

Blerjet nga paniku nuk janë gjithmonë irracionale

Bota nuk është duke shkuar drejt fundit, të paktën jo tani. Për çdo shembull antisocial, ka pasur edhe veprime “prosociale”.

Mund të ndihemi të ngazëllyer nga mjekët apo infermierët që janë në punë, në vijën e parë, duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre për të mirën e përgjithshme. Njerëzit kanë nisur ta marrin më seriozisht larjen e duarve, dëshmi për këtë është shitja masive e dezinfektantëve të duarve, për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Edhe blerja e ushqimeve për rezerva mund të mos duket një veprim egoist, sipas sociologes Zeynep Tufekci nga Universiteti i Karolinës së Veriut. Përgatitja për virusin “është një prej veprimeve më “prosociale”, altruiste që mund të bëni si masë për ngjarje të këtij lloji”, shkroi ajo në revistën “Scientific American”. Ajo thotë se të kesh rezerva ushqimore në shtëpi mund të ndihmojë në frenimin e shpërndarjes së virusit, nëse rrallon daljen nëpër supermarkete, ose ndihmën ndaj të tjerëve ndërsa gjendja përshkallëzohet.

Një sjellje e tij, thotë ajo, ka ndodhur edhe në të shkuarën. Lufta II Botërore mund të konsiderohet edhe si shfaqja më e shëmtuar e sjelljes njerëzore, por ishte edhe një periudhë ku një pjesë e mirë e botës u bë bashkë për të luftuar një armik të përbashkët.

Për këtë u përdorën një numër i madh burimesh dhe informacioni, të cilat u shpërndanë mes individëve dhe njerëzve. Ushtarë të shteteve të ndryshme u panë të luftonin në vijën e parë të frontit, edhe pse vendet e tyre nuk ishin drejtpërdrejt të kërcënuar.

Susan Michie, një psikologe e Kolegjit Universitar të Londrës, e specializuar në ndryshimin e sjelljes njerëzore, thotë se pjesa më e madhe e njerëzve janë të orientuar drejt sjelljes “prosociale” kur gjenden përballë një kërcënimi të tillë, për sa kohë që kanë ndjesinë se qeveritë dhe shoqëria do të kujdeset për ta dhe do t’i trajtojë të barabartë.

“Problemet shtohen kur kërkesa për kujdes shëndetësor ose ushqim apo ilaçe tejkalon burimet”, thotë ajo. “Për herë të fundit, ky kërcënim në Mbretërinë e Bashkuar është ndjerë në Luftën II Botërore dhe në fakt, njerëzit ishin më të shëndetshëm se sa kishin qenë për një kohë të gjatë. Kishte ushqime me racione, dhe shpërndarja ishte shumë më e barabartë. Njerëzit bënin çmos për të ndihmuar. Është një shembull shumë i mirë i qëndrimit “Jemi të gjithë bashkë në këtë histori”. Në atë kohë, po luftonim një armik të përbashkët, të njëjtën gjë që po bëjmë edhe tani, me këtë virus. Duhet ta përçojmë këtë ide në mentalitetin e të gjithëve”. (Analizë nga Angela Dewan, CNN)

PËRDITËSIM LIVE