Transmetuar më 04-04-2020, 20:16

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO 11 vite më parë është një nga ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në historinë e shtetit dhe të kombit shqiptar.

Kështu thotë Presidenti Ilir Meta, i cili shpreh mirënjohje për të gjithë ata burra e gra, në politikë, por edhe në fushën ushtarake e të sigurisë, që udhëhoqën me vizion, punuan dhe realizuan këtë projekt transformues dhe integrues.

“Një falënderim të veçantë për Presidentin e SHBA-ve, George W. Bush, i cili edhe me vizitën e tij të paharruar në Tiranë frymëzoi dhe mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të këtij qëllimi madhor”, shkruan Meta, teksa ndan edhe një video.

Tashmë ky përvjetor bëhet edhe më kuptimplotë për shkak se 17 vite pas nënshkrimit të Kartës së Adriatikut, shkruan kreu i shtetit, jo vetëm Shqipëria dhe Kroacia, por lumturisht edhe Maqedonia e Veriut, është anëtare e NATO-s.